Me rikthimin e La Liga, atmosfera te Barcelona është veçanërisht e tensionuar, pasi klubi po përballet me dy çështje delikate që kanë lindur gjatë ndërprerjes së fundit për ndeshjet e kombëtareve.
Ndërsa gjendja fizike e Frenkie de Jong mbetet një burim i madh shqetësimi në Katalonjë, është mënyra se si është menaxhuar situata e Raphinha ajo që ka acaruar veçanërisht stafin brenda kampit ‘blaugrana’.
Pasi u ndëshkua me karton të kuq në një humbje kundër Japonisë, gjë që solli pezullimin e tij për ndeshjen e dytë miqësore kundër Singaporit, anësori brazilian u mbajt në grumbullimin e ‘Seleção’, në vend që të kthehej më herët në Spanjë për t’u rikuperuar.
Kjo ka shkaktuar një zhgënjim të konsiderueshëm te trajneri Hansi Flick, i cili do të kishte preferuar ta kishte menjëherë në dispozicion një nga lojtarët e tij kyç, në prag të ndeshjeve zyrtare që po afrojnë.
Drejtori sportiv i Barcelona, Deco, u përpoq ta zbusë situatën, duke hedhur poshtë çdo pretendim për fërkime me federatën braziliane: “Kemi biseduar me Konfederatën Braziliane të Futbollit”.
“Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me drejtorin e tyre sportiv dhe e kemi diskutuar këtë gjë. Situata në fakt nuk ka ndryshuar shumë: ai ishte planifikuar të kthehej më herët, por ishte parashikuar një festim. Në çdo rast, ai ka vazhduar të stërvitet rregullisht, pa asnjë problem“, tha Deco.







