Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë publike një tjetër denoncim lidhur me skandalin e Postës së Durrësit, ku dyshohet për vjedhjen e parave të pensionistëve.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Këlliçi lexoi një mesazh që, sipas tij, i kishte mbërritur nga një qytetar. Në të ngrihen pretendime për përdorimin e parave të përvetësuara për blerje votash në Durrës, si dhe për përfshirjen e personave të tjerë në këtë çështje.

Sipas mesazhit të bërë publik nga deputeti demokrat, paratë e vjedhura nga Posta janë përdorur për blerje votash, ndërsa në qendër të akuzave vendoset edhe bashkëshorti i një deputetes Etleva Budini, për të cilin thekson se ka ndikuar në këto veprime.

“Çdo gjë që ka vjedhur e ka shpërdoruar për vjedhje dhe paratë e vjedhura janë përdorur për blerje votash në Durrës. Nën orientimin e bashkëshortit të zonjës, Boge, ish-drejtor kufiri në Durrës, me katër raste të trafikut të drogës në Durrës, ky individ, bashkëshorti i deputetes, është bërë drejtor kufiri dhe migracioni i Tiranës dhe është duke bërë namin me lejet e qëndrimit të indianëve dhe egjiptianëve. Jam i detyruar ta bëj transparent këtë mesazh”, deklaroi Këlliçi.

Deputeti theksoi se e bëri publik mesazhin për të denoncuar atë që ai e konsideron si një tjetër element të skandalit të Postës në Durrës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: