
Është zhvilluar sot në Elbasan aktiviteti përkujtimor me rastin e 77-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës, një takim që solli së bashku miq të vjetër e të rinj të marrëdhënieve shqiptaro-kineze, ish-studentë shqiptarë që kanë studiuar në Kinë ndër vite, si dhe të rinj që kanë përfunduar studimet dhe ushtrojnë sot profesionet e tyre në Shqipëri.
Në aktivitet ishin të pranishëm Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri, znj. Pang Chunxue, Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri–Kinë, Spartak Nano, dhe Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Klaudja Krasnika.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Klaudja Krasnika, vlerësoi miqësinë dhe bashkëpunimin e gjatë mes dy vendeve, duke shprehur bindjen se kjo traditë do të vijojë të forcohet edhe në të ardhmen, përmes shkëmbimeve kulturore, arsimore dhe lidhjeve mes brezave të rinj.
Ambasadorja Pang Chunxue vlerësoi kontributin e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri–Kinë dhe të drejtuesve të saj ndër vite në forcimin e lidhjeve mes dy popujve. Ajo shprehu kënaqësinë për praninë e miqve të vjetër, ish-diplomatëve dhe brezit të ri, duke theksuar se shoqata ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në afrimin e dy popujve. Ambasadorja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të urave të reja të komunikimit në fushën e kulturës, universiteteve dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë e Ambasadës për të vijuar bashkëpunimin me shoqatën dhe miqtë shqiptarë.
Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri–Kinë, Spartak Nano, theksoi se miqësia shqiptaro-kineze përfaqëson një kapitull të rëndësishëm në historinë e dy kombeve, të ndërtuar mbi bashkëpunimin kulturor dhe lidhjet njerëzore. Ai u shpreh se kjo trashëgimi duhet jo vetëm të ruhet, por edhe të përshtatet me kohën, duke forcuar rolin e shoqatës në fushën e kulturës, artit dhe shkencës. Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi brezit të ri dhe studentëve shqiptarë që vijojnë studimet në Kinë, duke i cilësuar ata si një potencial të çmuar për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen për Ambasadoren Pang Chunxue për angazhimin e saj në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-kineze.
Takimi u shoqërua me ndarjen e kujtimeve, emocioneve dhe përvojave nga ish-studentët shqiptarë që studiuan në Kinë gjatë viteve ’66, si dhe nga të rinjtë që kanë zgjedhur këtë vend për formimin e tyre akademik dhe profesional.
Një fakt interesant i kujtesës së kësaj periudhe është se rreth 80 për qind e studentëve shqiptarë që u dërguan për studime në Kinë gjatë viteve ’60 vinin nga Shqipëria e Mesme. Kjo lidhje u rikujtua edhe përmes dëshmive dhe përvojave të ish-studentëve të pranishëm në takim, të cilët ndanë kujtimet e tyre nga vitet e studimit dhe jetesës në Kinë.
Një tjetër dëshmi e rëndësishme e bashkëpunimit shqiptaro-kinez është edhe Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, i ndërtuar në atë periudhë me ndihmën dhe ekspertizën kineze. I konceptuar si një nga veprat më të mëdha industriale të vendit, ai shënoi një moment të rëndësishëm në historinë industriale të Elbasanit dhe mbetet edhe sot pjesë e historisë së bashkëpunimit mes dy vendeve.
Aktiviteti në Elbasan risolli në vëmendje një histori të gjatë bashkëpunimi dhe miqësie, duke dëshmuar se lidhjet mes dy popujve vijojnë të jetojnë përmes kujtesës, përvojave të përbashkëta dhe angazhimit të brezave të rinj.
