Thursday / November 19 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Bizneset shqiptare përballë boshllëkut të sigurimit, tregu gati të kontribuojë në skemë kombëtare

Share Share Icon

Tregu i sigurimeve në Shqipëri shprehet i gatshëm të marrë një rol aktiv në krijimin e një skeme kombëtare për mbulimin e katastrofave natyrore dhe sigurimin e bujqësisë, në një kohë kur bizneset vijojnë të kenë ekspozim të lartë ndaj rreziqeve dhe mbulimi me sigurime mbetet i kufizuar.

Kompanitë thonë se kanë kapacitetet dhe aksesin te risiguruesit ndërkombëtarë për të mbështetur skema të tilla, ndërsa zgjerimi i tregut kërkon edhe më shumë ndërgjegjësim për vlerën e sigurimit në menaxhimin e riskut.

Në sesionin “Ekonomia pa sigurim të mjaftueshëm”, në forumin e Monitorit “E ARDHMJA E EKONOMISË”, u prezantuan të dhënat e tregut dhe mundësitë për zgjerimin e mbrojtjes financiare të bizneseve. Sipas të dhënave të paraqitura nga Ersuin Shehu, zv.kryeredaktor i Monitorit, primet e shkruara bruto arritën në 280 milionë euro në vitin 2025, ose rreth 1,03% të PBB-së. Shpenzimi për sigurime për frymë ishte 118 euro, ndërsa dëmet e paguara bruto rreth 89 milionë euro. Sigurimi i mjeteve motorike zinte rreth 70% të tregut, ndërsa sigurimi i pronës vetëm 10%.

Marsela Vaska, drejtoreshë e Mbikëqyrjes së Tregut të Sigurimeve në AMF, tha se tregu ka hapësirë të konsiderueshme për t’u zhvilluar, por se zgjerimi i tij lidhet edhe me mënyrën se si individët dhe bizneset e perceptojnë sigurimin. “Sigurimi nuk duhet parë si një kosto apo shpenzim shtesë, por si një instrument i menaxhimit të riskut”, u shpreh ajo. Vaska nënvizoi gjithashtu rolin e inovacionit dhe digjitalizimit për t’i bërë produktet më të aksesueshme, veçanërisht për bizneset jashtë Tiranës.

Klaidi Citozi, CEO i SIGMA Vienna Insurance Group, theksoi se sfida nuk është vetëm numri i bizneseve të pasiguruara, por edhe niveli i mbulimit të atyre që kanë një policë. Sipas tij, shumë kompani që kanë siguruar pronën për shkak të kërkesave të bankave kanë lënë jashtë mbulimit pjesën tjetër të aseteve dhe kostot që lindin kur aktiviteti ndërpritet. “Sigurimi i plotë përfshin dhe business interruption”, tha Citozi, duke iu referuar mbulimit të shpenzimeve dhe detyrimeve financiare gjatë periudhës së rikuperimit pas një dëmi.

Nga ana e kompanive, Ogert Shkrepa, drejtor i Sigurimeve të Pronës dhe Garancive në SIGAL, tha se tregu është gati të organizohet për të mbështetur skema të përbashkëta. “Tregu i sigurimeve në Shqipëri është gati të krijojë një grupim (pool) dhe ta menaxhojë këtë gjë”, u shpreh ai, duke përmendur propozimin për një skemë kombëtare të katastrofave dhe gatishmërinë e risiguruesve të mëdhenj, si Munich Re, Swiss Re dhe Hannover Re, për të mbështetur mbulimin e rreziqeve në bujqësi dhe katastrofave natyrore. Sipas Shkrepës, tregu ka ofruar gjithashtu produkte për përgjegjësinë e drejtuesve, personelin kyç dhe riskun kibernetik.

Diskutimi u shtri edhe te sigurimet si pjesë e paketave të përfitimeve për punonjësit. Dalina Gjicali, drejtuese ekzekutive dhe partnere në EPPC Albania, tha se sigurimi shëndetësor dhe pensionet private mund të luajnë rol më të madh në tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve, por përdorimi i tyre mbetet i kufizuar te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Ndërsa Albana Karapanço, COO dhe drejtuese e çështjeve ligjore në Tegeria, u ndal te potenciali i teknologjisë për zhvillimin e industrisë. Ajo theksoi se digjitalizimi mund të përmirësojë proceset e brendshme, analizën e të dhënave, vlerësimin e dëmeve dhe ofrimin e produkteve të reja, si edhe të forcojë mbrojtjen ndaj rreziqeve kibernetike. “Teknologjia shpesh perceptohet si një kosto, jo si një investim”, tha Karapanço, duke nënvizuar rëndësinë e përgatitjes së kompanive për konkurrencën në tregun e përbashkët evropian./ N.Maho

Ekonomia shqiptare me rritjen më të ulët në rajon, pa rolin e taksave dhe administratës publike

Biznesi kërkon një model të qartë ekonomik, integrim europian dhe investime në produktivitet

Industria përpunuese në rënie prej 2022-it, bizneset kërkojnë konsultim për politikat fiskale

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Raporti: Deri në 75% e marrëdhënieve të eksportit nuk mbijetojnë vitin e parë

Deri në 75% e marrëdhënieve të eksportit të bizneseve shqiptare që vetëm eksportojnë ndërpriten brenda vitit të parë, ndërsa pas shtatë vjetësh vet...

2 hours më parë 3 Min Lexim

Nafta dhe benzina ulen me 3 lekë për litër

Bordi i Transparencës uli me 3 lekë për litër çmimet tavan të naftës dhe benzinës në mbledhjen e 19 nëntorit, krahasuar me vendimin e një dite më p...

2 hours më parë 1 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!