“Socialistët si Sheherazade”/ Gjekmarkaj përplaset me Maznikun në komision, deputeti i PS-së: Këmbanat në shesh bien për opozitën

19/11/2026 14:15

Debate dhe akuza të ndërsjella mes deputetit demokrat Agron Gjekmarkaj dhe deputetit socialist Arbër Mazniku shoqëruan diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2027 në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Gjekmarkaj akuzoi mazhorancën se po paraqet një realitet ekonomik që nuk përputhet me gjendjen e qytetarëve, duke i krahasuar deputetët socialistë me personazhin e Sheherazades në përrallat e “Një mijë e një netëve”. Ndërsa Mazniku iu përgjigj se protestat dhe pakënaqësitë e shprehura në shesh tregojnë, sipas tij, krizën e përfaqësimit të opozitës dhe jo të mazhorancës.

“Dje secili prej kolegëve socialistë m’u duk një Sheherazade te përrallat e Një mijë e një netëve. Tentonin t’i zgjasnin jetën politike vetes duke treguar një Shqipëri surreale, një realitet përrallor për të zbutur zemërimin e një mbreti të egër dhe të dhunshëm. Mirëpo në përrallë mbreti bëhet më i arsyeshëm, por mbreti juaj s’do ta kuptojë të vërtetën”, deklaroi Gjekmarkaj.

Deputeti demokrat vijoi me akuza për korrupsion ndaj qeverisë, duke iu referuar edhe tregimit “Minjtë” të shkrimtarit Dino Buzzati, të cilin e përdori si metaforë për mënyrën se si, sipas tij, korrupsioni po dëmton vendin.

“Është një tregim i Dino Buzzatit, ‘Minjtë’, ku minjtë gërryejnë trarët e shtëpisë dhe shtëpia shembet. Është metafora e korrupsionit. Unë e kam bindje atë që njerëzit e thonë kudo, që lokomotiva që udhëheq sot mendimin politik të PS-së është vjedhja, hajdutëria, korrupsioni”, tha ai.

Gjekmarkaj kritikoi edhe projektbuxhetin prej 10 miliardë eurosh, të cilin e cilësoi si një tjetër premtim që nuk reflektohet në mirëqenien e qytetarëve.

“Rritët rrogat, bie me 40% fuqia blerëse, pra nuk rritet asgjë. Ky buxheti 10 miliardë është fabula e radhës, gënjeshtra e radhës”, u shpreh deputeti demokrat.

Në përgjigje, Arbër Mazniku tha se mazhoranca dhe opozita kanë perceptime të ndryshme për realitetin në vend, ndërsa përdori edhe ai një alegori për t’iu kundërpërgjigjur Gjekmarkajt.

“Është interesante se zoti Gjekmarkaj ngre alegori. Mendoj që alegoria reale është ajo e famshme e popullit tonë, kur po kalonte një gomar në mal dhe iu turrën ujqit ta hanin, ndërsa gomari thoshte: ‘S’do të më hanë’”, deklaroi Mazniku.

Sipas Maznikut , protestat e zhvilluara në vend tregojnë se një pjesë e qytetarëve nuk ndihen të përfaqësuar nga opozita.

“Problemi është që realiteti i ngjarjeve në shesh ka një domethënie. Është deficit sistematik opozitar që Shqipëria ka pasur. Njerëzit kanë dalë në shesh në disa situata sepse nuk kanë qenë të përfaqësuar nga opozita”, tha ai.

Mazniku mbrojti projektbuxhetin e vitit 2027, duke theksuar se ai mbetet besnik ndaj politikave sociale të Partisë Socialiste dhe parashikon mbështetje për familjet e reja, studentët dhe fëmijët.

“Për kë e debatojmë dhe për kë e bëjmë buxhetin? Kemi përpara një buxhet që në mënyrë sistematike u qëndron besnik parimeve të PS-së si një forcë e qendrës së majtë. Gjithë paketa e strehimit social ndihmon familjet e reja, gjithë paketa e ndihmës së studentëve, ndihma për familjet e reja dhe fëmijët”, deklaroi depoteti socialist.

Ai akuzoi opozitën se gjatë viteve të fundit nuk ka ofruar alternativa konkrete për politikat qeveritare, por e ka përqendruar debatin te akuzat për korrupsion.

“Nuk kemi asnjë diskutim në 10 vjet konstruktiv se si mund të bëhet një punë më mirë, me përjashtim të ‘maskarenj’, ‘vjedhje’. Shqiptarët janë të qartë, duan të dinë si zgjidhet halli. Për këtë ne kemi pasur për fat të keq të bëjmë monolog, se s’kemi pasur me kë të bëjmë dialog”, tha Mazniku.

Në përfundim të replikës së tij, depoteti socialist iu rikthye protestave, duke këmbëngulur se ato janë tregues i mungesës së përfaqësimit politik nga opozita.

“Arsyeja pse kishte njerëz në shesh ishte kjo, nuk përfaqësoheshin nga opozita. Në vijim të bisedës gjysmë politike dhe gjysmë intelektuale, zilet në shesh bien për opozitën, këmbanat në shesh bien për opozitën”, përfundoi Mazniku.

 

Top Channel