Çitaku: Nisma për Specialen do të çohet deri në fund
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka dhënë sqarime lidhur me shtyrjen e seancës së sotme të Kuvendit, në të cilën ishte paraparë të shqyrtohej Ligji për Gjykatën Speciale.
Në një konferencë për media, Çitaku ka bërë të ditur se deri në javën e ardhshme pritet të përgatitet një draft i ri, i cili do të përfshijë propozimet e PDK-së, si dhe rekomandimet që do të vijnë nga ekspertët.
Ajo ka kërkuar falje ndaj të gjithë atyre që janë shqetësuar se kjo nismë mund të mbetet në gjysmë, duke pranuar kritikat për mënyrën se si ka ecur procesi deri më tani.
“Tani dua t’u drejtohem atyre që e kanë ndjekur këtë proces me këtë shqetësim. I pranoj kritikat për mënyrën se si kemi ecur deri më sot, në emër të bashkëpartiakëve u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që për shkak të vonesave dhe paqartësive u shqetësuan se kjo nismë do të mbetet në gjysmë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo është zotuar se nisma do të vazhdojë deri në përfundim, me synimin që ligji të jetë më i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i zbatueshëm.
Çitaku ka bërë të ditur gjithashtu se grupi punues do të vazhdojë angazhimin për përgatitjen e strategjisë për fazën e Apelit.
Ajo ka theksuar rëndësinë e unitetit për këtë çështje dhe mbështetjes konkrete ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe familjeve të tyre.
“Grupi punues do të vazhdojë punën për përgatitjen e strategjisë për në Apel. Uniteti i shqiptarëve për këtë çështje ka peshë historike. Këtë duhet ta dëshmojmë me punën në Kuvend dhe me mbështetjen konkrete ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Këtë ua kemi borxh atyre dhe familjeve të tyre, këtë ia kemi borxh historisë së vendit tonë dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Çitaku.















