Barcelona ka rikthyer interesimin për mbrojtësin e Brightonit, Luka Vuskovic, duke vendosur kontakte të reja për transferimin e 19-vjeçarit kroat.

Mbrojtësi, i cili u transferua te Brighton për një shumë rekorde prej rreth 57 milionë eurosh, ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane. Në garë për shërbimet e tij janë edhe Real Madridi dhe Liverpooli, pas paraqitjeve mbresëlënëse që ka treguar në fillim të aventurës së tij në Angli.


Sipas TEAMtalk, Barcelona është ndër klubet më serioze në ndjekje të Vuskovic, i cili në një kohë të shkurtër është shndërruar në njërin prej mbrojtësve të rinj më të vlerësuar në Evropë.

Kroati iu bashkua Brightonit nga Tottenham në korrik të vitit 2026, fillimisht për 52 milionë euro, ndërsa me bonuset shuma mund të arrijë në rreth 57 milionë euro. Ai nënshkroi kontratë pesëvjeçare, të vlefshme deri në vitin 2031, me klubin anglez që ka edhe opsionin për ta zgjatur atë edhe për një sezon.

Pasi kishte lënë përshtypje të jashtëzakonshme gjatë huazimit te Hamburgu në Bundesligë sezonin e kaluar, Vuskovic nuk ka pasur nevojë për shumë kohë për t’u përshtatur me futbollin anglez. 19-vjeçari ka qenë titullar në të dhjetë ndeshjet e para të Brightonit në Ligën Premier për sezonin 2026/27, duke u shndërruar shpejt në një lojtar kyç në qendër të mbrojtjes.

Dominimi në duelet ajrore, qetësia me topin dhe fiziku imponues kanë qenë disa nga cilësitë që e kanë dalluar kroatin. Paraqitjet e tij kanë ndihmuar Brightonin të ketë një fillim të shkëlqyeshëm të sezonit nën drejtimin e trajnerit Fabian Hurzeler.

Paraqitjet e vazhdueshme të Vuskovic kanë bërë që interesimi për të të mos kufizohet vetëm te Barcelona.

Sipas raportimit, Liverpooli po e përcjell nga afër kroatin, duke e konsideruar si një kandidat të mundshëm për ta pasuar Virgil van Dijkun në të ardhmen.

Edhe Real Madridi është duke monitoruar zhvillimin e tij, në kuadër të planeve për të përforcuar repartin defensiv në vitet e ardhshme.