Presidentët e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i Rusisë, Vladimir Putin, dhe i Kinës, Xi Jinping, kanë përfunduar pas 90 minutash takimin trepalësh në Shenzhen të Kinës, duke dalë me një deklaratë të përbashkët që përmban katër pika kryesore të bashkëpunimit mes tri fuqive të mëdha.
Në qendër të deklaratës është parandalimi i një konflikti bërthamor, ku tre liderët riafirmojnë parimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Ata janë angazhuar gjithashtu për dialog me synim uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.
“Tre krerët e shteteve riafirmuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet. Të tre vendet do të angazhohen në dialog për uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes bërthamore”, thuhet në dokument.
Deklarata e përbashkët përfshin katër çështje kryesore, ku krahas sigurisë bërthamore dhe stabilitetit ndërkombëtar, vëmendje i kushtohet reformës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, bashkëpunimit energjetik dhe juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Në lidhje me OKB-në, tre vendet, si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, shprehin angazhimin për të nxitur reformimin e organizatës, me qëllim rritjen e efektivitetit të saj përballë sfidave globale dhe përmbushjen e misionit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me energjinë. Trump, Putin dhe Xi kanë rënë dakord për rëndësinë e rritjes së prodhimit dhe furnizimit me produkte të rafinuara të naftës, duke theksuar nevojën për ruajtjen e rrjedhave të qëndrueshme energjetike.
Tre liderët kanë shprehur gjithashtu qëndrimin se Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe institucione të tjera të ngjashme nuk duhet të tejkalojnë apo të abuzojnë me juridiksionin e tyre. Në deklaratë theksohet rëndësia e parimit të pëlqimit kombëtar dhe respektimit të imunitetit të zyrtarëve shtetërorë.
Trump e cilësoi takimin si historik, duke nënvizuar se tri fuqitë kanë shumë çështje për të diskutuar. Ndërsa presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se bashkëpunimi mes fuqive të mëdha nuk është çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri.
Megjithatë, në deklaratën e përbashkët nuk ka një qëndrim konkret për luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Iran, dy prej çështjeve më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare.
Takimi në Shenzhen shënon një zhvillim të veçantë diplomatik, pasi tre liderët kanë përcaktuar publikisht fusha të përbashkëta veprimi, pavarësisht dallimeve dhe tensioneve që karakterizojnë marrëdhëniet mes Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit.





