Sipas Policisë, arrestimi i tyre ka ardhur pas një hetimi dymujor nga Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë Kosovë.

Operacioni policor, i zhvilluar më 18 nëntor, rezultoi me arrestimin e tre shtetasve të Kosovës, me inicialet A.B., F.H. dhe M.K.

Të dyshuarit dyshohet se gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026 kanë kryer vjedhje të rënda në banesa në Fushë Kosovë. Sipas vlerësimeve fillestare të Policisë, dëmi i përgjithshëm material tejkalon 60 mijë euro dhe përfshin para të gatshme, stoli ari, sende me vlerë, si dhe armën zyrtare të një zyrtari policor.

Me urdhër të organeve të drejtësisë, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku ka sekuestruar stoli ari, para të gatshme, një pistoletë, një veturë që dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprave penale, dy telefona dhe një sasi të substancës së dyshuar narkotike, marihuanë.

Gjatë hetimeve, policia ka identifikuar edhe një argjendari në lagjen Dardania në Prishtinë, ku dyshohet se janë shitur stolitë e vjedhura. Pronari i argjendarisë është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndërkaq, në Prizren është lokalizuar dhe sekuestruar edhe një sasi tjetër e arit.

Ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vjedhje e rëndë”, “Posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.