‘Rama kërkon të nënshtrojë shoqërinë’/ Muçollari: Autokrati nuk jep llogari për aferat korruptive

15:31, 19/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një intervistë në edicionin e pasdites në Syri TV, anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po rëndon shtresën e mesme me taksa të reja, ndërkohë që paratë e qytetarëve shpërdorohen për propagandën e qeverisë.

Muçollari foli për mungesën e llogaridhënies për fondet publike dhe përgjegjësisë politike të Ramës për aferat korruptive që kanë përfshirë të gjitha nivelet e qeverisjes.

Ai theksoi se protestat e vazhdueshme dëshmojnë se shoqëria shqiptare është kthyer opozitare përballë një kryeministri që refuzon të japë llogari dhe kërkon të nënshtrojë frymën e kundërshtimit qytetar.

Pjesë nga intervista:

Shteti jua mbledh këto para, jua merr paratë, por ama shërbimet që ai duhet të ofronte, duke filluar nga arsimi, shëndetësia e për të mos folur më pas për mënyrën se si i transferon këto para në ekonomi për t’i shpërndarë, nuk ekzistojnë.

Kështu që, në këtë kuadër, kemi të bëjmë me një paketë të re fiskale, ku prapë është dyfishuar tatimi i dividendit. Paratë e shumë ndërmarrjeve, të themi mesatare, që i përkasin shtresës së mesme, paratë të cilat këta njerëz i përdornin për të shkolluar fëmijët, apo për të paguar një shërbim shëndetësor më të mirë, apo për të pasur një jetë më të mirë, sot është dyfishuar, që do të thotë që shteti i merr një pjesë edhe më të madhe kësaj shtrese, të cilës nuk ia kthen në të mira dhe shërbime. Dhe gjithë problemi këtu është që gjithë këto para, që në vitin e kaluar, mos gaboj, realizimi i investimeve apo i prokurimeve ka qenë në nivelin 35 për qind, që do të thotë që shteti, me paratë që kishte, ka paratë e mjaftueshme për t’i rishpërndarë, për të kryer, të themi, projekte të tjera.

Atëherë, pse ne po shkojmë dhe po rrisim taksat për një shtresë aq jetike për ekonominë dhe për shoqërinë në vetvete, që është dhe shtresa e mesme? Që do të thotë që me paketën e re fiskale, profesionistët e lirë, ose ndryshe mund të jenë mendja e vendit, do të taksohen më shumë, do të paguajnë më shumë para, të cilave nuk u dihet destinacioni.

Nëse këto para merren dhe keqpërdoren, përdoren vetëm për propagandë, përdoren për t’i dhënë, themi, iks milionë euro një koncerti që i shërbente vetëm qeverisë, përdoren për pudrosje, për imazh, për të qeverisur nëpërmjet propagandës, atëherë nuk më duhet një buxhet më i madh, për sa kohë ti nuk jep llogaridhënie për mënyrën se si i shpenzon këto para dhe çfarë masash ke marrë ti pas aferave të pafundme që sot kanë dalë në dritë të diellit. Për çfarë duhet të të jap më shumë para? Se kjo ka një nonsens logjik, që do të thotë që ne kërkojmë llogaridhënie, kërkojmë përgjegjësi politike për veprimet apo mosveprimet, se të themi që zoti Rama nuk ka qenë në dijeni të aferave korruptive që tashmë i kanë kapluar dy zëvendëskryeministra, ministra, kryetarë bashkish dhe të gjitha qelizat e qeverisjes, por minimalisht duhet të jesh përgjegjës për paaftësi.

Përgjegjësia politike nuk është përgjegjësi penale dhe përgjegjësia politike është koncepti bazë i një demokracie, të themi, europiane, që do të thotë që për sa kohë nuk ke vendime të marra të cilat pasqyrojnë realitetin e një shoqërie që sot po kërkon ndryshim, jo buxhet të rritësh, jo propagandë të bësh, por Jezu Krishti të zbriste këtu, nuk ka mundësi t’i bindësh qytetarët që ti ke një përqasje për të dhënë llogari për këto taksa, për këto para, të cilat ti po i përdor, me thënë të drejtën, në kundërshtim të interesave shoqërore.

Dhe jo më kot protesta qytetare vazhdon dhe sot e kësaj dite dhe jo më kot shoqëria në tërësi është kthyer opozitare. Sot janë shumë të paktë dhe analistët të cilët mund të arrijnë të mos njohin këtë shqetësim, këtë nerv shoqëror në lidhje me qeverisjen. Kështu që opozicioni sot është kthyer në një element që mbizotëron shoqërinë, qofshin këta njerëz me Partinë Demokratike apo partitë e tjera opozitare, apo grupime interesi, mbase nuk do të donin asnjërën nga partitë aktualisht që janë partitë parlamentare. Opozicioni sot është i nevojshëm më shumë se kurrë dhe shoqëria e ka përqafuar atë dhe ndodhet përballë një autokrati i cili është i vendosur të mos reagojë, është i vendosur të nënshtrojë këtë frymë opozitare që sot mbizotëron në vend.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco