Me Urdhrin Nr. 125, ministrja e Financave nisi procedurën për t’ia dhënë 61 hektarë tokë shtetërore oligarkut Bashkim Ulaj me një ofertë të vetme, duke shkelur ligjin që kërkon më shumë se 2 oferta. Në mbledhjen e 29 gushtit 2023, përfaqësuesit e Bujqësisë, Infrastrukturës e Turizmit u shprehën kundër, dhe komisioni e anuloi projektin.
Përveç 150 ha tokë në Rrjoll të Velipojës, oligarku Bashkim Ulaj inskenoi edhe grabitjen e 61 hektarë tokë shtetërore në zonën e Koplikut të Sipërm të Bashkisë Malësi e Madhe.
Kryeministri Edi Rama sajoi projektin me objekt: “TEDA – Ndërtim i zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Koplik për veprimtari prodhuese, industriale, turistike, hotelerie, agro-përpunim, tregtim, argëtime e shërbime të ndryshme”.
Për të krijuar terrenin e grabitjes nga Bashkim Ulaj, kryeministri Edi Rama angazhoi ish-ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, për zhvillimin e procedurës, me një komision të posaçëm pranimi e ofertash, që sipas ligjit duhej të kishte më shumë se 2 oferta.
Por komisioni u urdhërua nga Delina Ibrahimaj që procedura të zhvillohej me kompaninë “Gener 2” të Bashkim Ulajt si e vetmja pjesëmarrëse, duke shkelur kriterin ligjor të kësaj lloj procedure. Skenari filloi me Urdhrin Nr. 125, datë 26 maj 2023, të Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, për fillimin e procedurës për përzgjedhjen e subjektit zhvillues të “TEDA – Zonës së Teknologjisë e Ekonomisë në Koplik-Malësi e Madhe”, brenda 10 korrikut 2023.
Në datën 10 korrik, ditën e dorëzimit të ofertës, komisioni, nëpërmjet një procedure formale e fiktive, shpalli fituese kompaninë “Gener 2” për zbatimin e projektit “TEDA-Koplik” në 61 ha.

Por sipas ligjit, procedura duhej të organizohej e zhvillohej nga Njësia e Hartimit të Dokumenteve të Projekteve TEDA, me përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Por Ministria e Financave dhe Ekonomisë e zhvilloi procedurën vetëm, shpalli fituese kompaninë “Gener 2” dhe, sipas proces-verbalit të datës 10 korrik, e regjistroi në Zyrën e Protokollit.
Por sipas proces-verbalit të datës 9 gusht 2023, vetë Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pasi e kuptoi se ishte në shkelje të ligjit, kërkoi shtyrjen me 20 ditë të shpalljes së fituesit dhe konsultimin me përfaqësuesit e 3 ministrive, me mendimin se kontrata do të lihej në fuqi.
Pazarin me mikun e tij oligark e bëri Edi Rama dhe e zbatoi nëpërmjet ministres Delina Ibrahimaj në shkelje të plotë të ligjeve, por u kundërshtua nga përfaqësuesit e 3 ministrive, anëtarë të komisionit, nga frika, pasi u informuan se procedura e paligjshme ishte denoncuar në SPAK.
Më 29 gusht 2023, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u zhvillua mbledhja e Komisionit të projektit e ofertave, me objekt shqyrtimin e dokumentacionit dhe rivlerësimin e shoqërisë fituese.
Zonja Gj.A., përfaqësuese e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, u shpreh dakord me projektin dhe kompaninë fituese “Gener 2” sh.p.k., me argumentin se projekti ishte zhvillim ekonomik kombëtar dhe subjekti i kishte kapacitetet për kryerjen e investimit.

Zonja M.Sh., përfaqësuese e Ministrisë së Bujqësisë, u shpreh kundër projektit, pasi nuk është në përputhje me legjislacionin për Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik të zonave TEDA.
Sipas saj, projekti është në shkelje të VKM nr. 463/2016, ku përcaktohen llojet e veprimtarisë që lejohen në zonën e Koplikut, dhe të ligjit për administrimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e tokës.
Zonja M.K., përfaqësuese e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh kundër projektit, sepse nuk ka bazë ligjore për t’u zhvilluar sipas dokumenteve të planifikimit në fuqi, pasi nuk është i përcaktuar funksioni agro-fotovoltaik si përdorim i lejuar në asnjë nga kategoritë.
Zonja B.C., përfaqësuese e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, u shpreh kundër projektit për Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik TEDA në Koplik, pasi nuk është në përputhje me legjislacionin për Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik.
Ndërsa zoti A.B., kryetar i komisionit, përfaqësues i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përballë kundërshtimit të 3 ministrive si shumicë votash, shpalli të anuluar projektin dhe kontratën me kompaninë “Gener 2” të oligarkut Bashkim Ulaj./Pamfleti