Kërkesa për prona luksoze, ndërtuesit paralajmërojnë krizë për tregun rezidencial

Sektori i ndërtimit mund të përballet me vështirësi në segmentin e pronave luksoze rezidenciale, ndërsa kërkesa për apartamente në fashat e ulëta dhe të mesme vijon të shfaqë ecuri pozitive.
Paralajmërimi për sfidat që mund të shfaqen në tregun e pronave luksoze erdhi nga Artan Dulaku, CEO dhe aksioner i Concord Group, i pranishëm në konferencën “E ardhmja e ekonomisë”, organizuar nga revista “Monitor”.
Sipas z. Dulaku, ndryshe nga segmenti i ulët dhe i mesëm, ku tregu vijon të funksionojë, vështirësitë pritet të përqendrohen te pronat e nivelit të lartë.
“Patjetër që ka sfida, sidomos në pjesën e tregut rezidencial. Gjykoj që nuk ka gjë për t’u shqetësuar, sepse fasha e ulët dhe e mesme performon, funksionon. Ajo që duket sikur do të jetë në krizë është pjesa e lartë e tregut. Aty unë shoh që do të ketë vështirësi”, u shpreh ai.
Edhe ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme kanë paralajmëruar më herët për rrezikun e mbiofertës veçanërisht për kategorinë e pronave luksoze, ku oferta në rritje mund të tejkalojë kapacitetet reale të kërkesës.
Më herët edhe Stela Dhami nga “Colliers International Albania” pohoi për Monitor se vilat e mëdha dhe pronat me çmime të larta janë më të ekspozuara ndaj këtij rreziku, për shkak të numrit më të kufizuar të blerësve potencialë.
Një ecuri më pozitive, z. Dulaku paraqiti për investimet në bregdet, ku sipas tij, interesi nga blerësit europianë po krijon mundësi për të mos u mbështetur vetëm te kërkesa e tregut vendas.
Interesi për pronat në bregdet, sipas tij, vjen kryesisht nga vendet skandinave, por edhe nga Çekia, Hungaria dhe Polonia. Megjithatë, ai theksoi se çmimet duhet të mbeten konkurruese në raport me ofertën e destinacioneve të tjera turistike në rajon, veçanërisht Greqinë dhe Italinë.
“Jam më i qetë për pjesën e investimeve në bregdet, për arsye se ne në bregdet kemi akses edhe te tregu europian i shitjes dhe kjo automatikisht na bën më të pavarur nga ekonomia lokale.
Gjykoj që ka interes të gjallë përsa i përket ndërtimeve në bregdet nga vendet europiane, kryesisht vende skandinave, Çeki, Hungari, Poloni, por edhe aty duhet fasha e caktuar e çmimit që të jetë konkurruese përsa i përket ofertës që mund të jetë në rajon, kryesisht Greqi, Itali”, tha z. Dulaku.
Sa i përket perspektivës së sektorit të ndërtimit, ai vlerësoi se shkurtimi i procedurave burokratike do të mund të nxiste më tej zhvillimin e tij.
Sipas z. Dulaku, ndërtimi ka një efekt të gjerë në ekonomi, pasi për çdo punonjës të angazhuar në këtë sektor gjenerohen 7 deri në 8 vende pune në sektorë të tjerë që lidhen me të.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









