Pas rreth dy orësh ndërhyrjeje me mjete të rënda, është rikthyer qarkullimi në aksin rrugor Qafë e Buallit–Kraste, në Bulqizë, pas një rrëshqitjeje të një masivi shkëmbor që zuri rrugën dhe vështirësoi lëvizjen e automjeteve. Nga incidenti nuk raportohet për aksidente apo persona të lënduar. Pas largimit të gurëve dhe ndërhyrjes së mjeteve të rënda, qarkullimi është normalizuar.
Ngjarja rikthen vëmendjen te problemet e këtij aksi, i cili prej kohësh pret përfundimin e investimit për zgjerimin dhe asfaltimin. Punimet nisën rreth dy vite më parë, por projekti ka mbetur përgjysmë, duke lënë rrugën të papërfunduar dhe duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe drejtuesit e makinave, të cilët përballen me vështirësi dhe rreziqe gjatë lëvizjes.
Rreth një muaj më parë, emisioni investigativ Fiks Fare denoncoi probleme dhe shkelje në procedurën e tenderimit për këtë projekt. Pas investigimit, institucionet përgjegjëse ia kaluan njëra-tjetrës përgjegjësinë, ndërsa si arsye për mosrealizimin e plotë u përmend nevoja për një fond shtesë financiar, pasi vlera e parashikuar në projekt nuk ishte e mjaftueshme për përfundimin e punimeve.
Pas denoncimit të Fiks Fare, prej disa ditësh punimet në këtë segment janë rifilluar. Megjithatë, ndërhyrjet po vazhdojnë me ritme të ngadalta dhe ende nuk dihet kur do të përfundojë plotësisht investimi. Rrëshqitja e sotme e masivit shkëmbor konsiderohet një sinjal tjetër për rrezikun që paraqet ky aks, veçanërisht duke pasur parasysh se punimet nuk kanë përfunduar dhe infrastruktura vazhdon të ketë probleme.
Banorët dhe përdoruesit e rrugës kërkojnë nga institucionet përgjegjëse që të mos kufizohen vetëm te ndërhyrje të përkohshme, por të garantojnë përfundimin e projektit dhe sigurinë e qarkullimit.

