Në çështjen e paraqitur në vitin 2019 para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gambia akuzoi Mianmarin për shkeljen e Konventës së vitit 1948 për ‘Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit.’
Mediat e huaja shkruajnë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), organi më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, ka vendosur se Mianmari ka kryer gjenocid ndaj pakicës etnike dhe fetare Rohingya.
Gjykata, me seli në Hagë, shpalli të enjten vendimin lidhur me operacionin ushtarak që detyroi më shumë se 730 mijë pjesëtarë të popullsisë Rohingya, kryesisht myslimanë, të largoheshin nga vendi dhe të kërkonin strehim në Bangladeshin fqinj.
Kryetari i GJND-së, Yuji Iwasawa, bëri të ditur se gjykata, me nëntë vota pro dhe gjashtë kundër, konstatoi se Mianmari kishte kryer gjenocid ndaj popullsisë Rohingya në veri të shtetit Rakhine, duke shkelur detyrimet që rrjedhin nga Konventa për Gjenocidin.
Ky është rasti i parë në të cilin një shtet shpallet përgjegjës për kryerjen e gjenocidit nga kjo gjykatë. Vendimi përbën gjithashtu një nga rastet e rralla kur, që nga Holokausti nazist, një gjykatë ndërkombëtare ka konstatuar se është kryer krimi i gjenocidit.
Çështja u paraqit nga Gambia, shtet i Afrikës Perëndimore, e cila në vitin 2019 akuzoi Mianmarin se kishte synuar shkatërrimin e popullsisë Rohingya. Gambia i kërkoi GJND-së të konstatonte se Mianmari kishte shkelur Konventën e vitit 1948 për Gjenocidin, ta urdhëronte të ndërpriste çdo veprim të paligjshëm kundër kësaj popullsie dhe të garantonte ndëshkimin e personave përgjegjës për krimin e gjenocidit.
Nga ana e tij, Mianmari pretendoi se operacionet ushtarake kishin qenë një përgjigje ndaj sulmeve të kryera nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Rohingya të Arakanit (ARSA) kundër postave policore.
Gjatë leximit të vendimit, i cili zgjati rreth tri orë, kryetari i gjykatës, Iwasawa, deklaroi se provat tregojnë se forcat e armatosura të Mianmarit kanë vrarë rreth 10 mijë pjesëtarë të popullsisë rohingya.
“Gjykata konstaton se forcat e sigurisë së Mianmarit kanë vrarë mijëra civilë rohingya, kanë kryer akte të përhapura të dhunës seksuale, si dhe akte të një dhune ekstreme ndaj fëmijëve. Ato kanë sulmuar gjithashtu personat që po largoheshin, ndërsa këta të fundit përpiqeshin të kalonin në numër të madh drejt Bangladeshit”, deklaroi ai.
Në disa raste konkrete të shqyrtuara nga gjykata, u konstatua se veprimet e forcave të Mianmarit ishin kryer me qëllim gjenocidal.
Sipas GJND-së, i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxirret nga provat mbi mizoritë e përhapura të kryera nga forcat e sigurisë së Mianmarit është se ato kishin pasur si synim shkatërrimin e një pjese të konsiderueshme të popullsisë rohingya.
Gjykata theksoi gjithashtu se autoritetet e Mianmarit duhej të kishin qenë në dijeni të rrezikut të kryerjes së gjenocidit, veçanërisht kur persona të armatosur civilë morën pjesë në operacionet ushtarake. Për rrjedhojë, Mianmari kishte shkelur edhe detyrimin ndërkombëtar për parandalimin e gjenocidit.
Si pasojë e akteve të paligjshme të konstatuara, Mianmari ka detyrimin të sigurojë dëmshpërblimin dhe rivendosjen e të drejtave të cenuara, deklaroi Iwasawa.
Gjykata përcaktoi se masat e nevojshme të rivendosjes së gjendjes së mëparshme duhet të përfshijnë:
Krijimin e kushteve për kthimin e sigurt dhe vullnetar të popullsisë rohingya në vendin e saj.
Kthimin ose zëvendësimin e të gjitha pronave kolektive të dëmtuara.
Lehtësimin e kërkimeve për personat e zhdukur dhe garantimin e varrimit të përshtatshëm të viktimave.
Sigurimin e rehabilitimit fizik dhe psikologjik për personat që kanë pësuar dëmtime mendore dhe emocionale.
Garantimin e mbrojtjes së popullsisë rohingya nga persekutimi dhe dhuna.
Vite në pritje të drejtësisë
Gazetarja e Al Jazeera-s, Step Vaessen, e cila raportoi nga Haga, tha se gjykata kishte konstatuar se ishin provuar të paktën katër kategori aktesh gjenocidale: vrasjet masive të civilëve, zhvendosja me forcë e qindra mijëra personave, shkaktimi i dëmtimeve të rënda fizike dhe psikologjike ndaj pjesëtarëve të grupit, si dhe pengimi i lindjeve.
Sipas gjykatës, popullsia rohingya ishte trajtuar si një komunitet me të drejta të kufizuara dhe në pozitë të pabarabartë shumë kohë përpara vitit 2017. Gazetarja theksoi gjithashtu se pjesëtarët e këtij komuniteti ishin detyruar t'i nënshtroheshin një programi të kontrollit të lindjeve.
“Gjykatësi paraqiti një argumentim të qartë dhe të mbështetur në prova se në atë rast ishte kryer një akt gjenocidal”, raportoi Vaessen.
Sipas saj, vendimi përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për popullsinë rohingya.
“Ata kanë pritur prej vitesh për çdo formë drejtësie. Por ky vendim është i rëndësishëm edhe për të gjithë komunitetin ndërkombëtar, pasi gjenocidi është një krim shumë i vështirë për t'u provuar”, u shpreh gazetarja.
Avokati i së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Toby Cadman, theksoi se sfida më e madhe në çështjet e gjenocidit është provimi i qëllimit të posaçëm për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup të caktuar njerëzor. Ky përbën një standard shumë të lartë juridik për t'u përmbushur.
Ai vuri në dukje se GJND-ja nuk kishte konstatuar më parë përgjegjësinë e një shteti për kryerjen e gjenocidit me qëllim të posaçëm.
“Gjykata udhëhiqet nga Konventa për Gjenocidin dhe nga përcaktimet që ajo përmban. Pragu juridik që duhet përmbushur është shumë i lartë”, deklaroi Cadman për Al Jazeera-n.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e mirëpritën vendimin. Amnesty International deklaroi se shpresonte që ky vendim të shënonte fillimin e një procesi të shumëpritur të vendosjes së përgjegjësisë për krimet e kryera në Mianmar.
Organizata theksoi se të gjitha krimet sipas së drejtës ndërkombëtare duhet të hetohen në mënyrë efektive dhe personat e dyshuar për përgjegjësi penale duhet të vihen përpara drejtësisë.
Megjithatë, sipas avokatit Cadman, procesi nuk përfundon me shpalljen e këtij vendimi. Zhvillimet e mëtejshme do të varen nga hapat që do të ndërmerren në vijim, përfshirë mundësinë e trajtimit të çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vendosjen e sanksioneve dhe zbatimin e masave të tjera që mund të sigurojnë respektimin e vendimit të gjykatës.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1,3 milionë pjesëtarë të popullsisë rohingya vazhdojnë të jenë të zhvendosur në vende të ndryshme të Azisë Jugore dhe Juglindore. Prej tyre, rreth 1,2 milionë jetojnë në kampet e mëdha të refugjatëve në Cox's Bazar, në Bangladesh.
Konfliktet e vazhdueshme, pakësimi i ndihmës humanitare dhe kalimet e rrezikshme detare vijojnë ta mbajnë këtë komunitet në kushte pasigurie, duke e ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta humanitare dhe duke vështirësuar perspektivën e kthimit të sigurt në vendin e origjinës.





Komente
Komento