Dion Kacuri mund të mos rikthehet te Baseli pas përfundimit të huazimit te Austria Lustenau, pasi klubi austriak ka në dispozicion një opsion për ta blerë përfundimisht mesfushorin kosovar.

22-vjeçari është përshtatur mirë në skuadrën austriake, ku ka siguruar një vend të rregullt në formacionin titullar.


Kacuri aktivizohet në mesfushën defensive dhe paraqitjet e tij kanë bërë që e ardhmja e tij të shihet gjithnjë e më shumë larg klubit zviceran.

Madje, mesfushori ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Austria Lustenau, duke fituar një rol të rëndësishëm në skuadër.

Kontrata e Kacurit me Baselin është e vlefshme deri në vitin 2028, por opsioni i blerjes i jep klubit austriak mundësinë që ta transferojë përfundimisht.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në karrierën e tij ishte ftesa e parë në Kombëtaren e Kosovës nga përzgjedhësi Franco Foda, në muajin tetor.

Kështu, 22-vjeçari po e shfrytëzon huazimin për të fituar minuta dhe për të konsoliduar pozitën e tij, ndërsa mbetet të shihet nëse Austria Lustenau do ta aktivizojë opsionin për ta mbajtur përfundimisht në skuadër. /Telegrafi/