“Lufta bërthamore nuk ka fitues”, Trump, Xi Jinping dhe Putin me deklaratë të përbashkët për paqen

Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin përfunduan takimin e tyre të parë trepalësh me një deklaratë të përbashkët, ku përcaktuan disa angazhime për çështjet kryesore të sigurisë globale.
Në dokument, tre udhëheqësit nënvizuan se një luftë bërthamore nuk duhet të ndodhë kurrë dhe se ajo nuk mund të fitohet nga asnjë palë.
Gjithashtu, ata u shprehën në favor të avancimit të reformave në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, garantimit të furnizimit me produkte të rafinuara të naftës për të gjitha vendet, si dhe mbështetjes së imunitetit të zyrtarëve shtetërorë përpara gjykatave ndërkombëtare.
Takimi u zhvillua në një vilë në qytetin Shenzhen, në jug të Kinës, ku tre presidentët u vendosën përballë njëri-tjetrit në një tryezë të rrumbullakët. Në nisje, secili prej tyre mbajti një deklaratë, duke vënë theksin te përgjegjësia që kanë fuqitë e mëdha për ruajtjen e stabilitetit ndërkombëtar.
“Duhet bërë çdo përpjekje për të parandaluar luftën bërthamore dhe armët bërthamore duhet të ndalohen dhe të shkatërrohen plotësisht.”, tha Xi Jinping, president i Kinës.
“Vendet tona janë në një pozicion të veçantë për ta diskutuar këtë. Por nuk është një gjë e lehtë për t’u bërë. Nuk është e lehtë që vendet që i kanë të heqin dorë prej tyre.”, tha Trump.
Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin iu referua rolit historik të tre vendeve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se fitorja e përbashkët u jep atyre një përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e paqes në botë.
“Duke qenë ndër themeluesit e Kombeve të Bashkuara, ne mbajmë detyrën e ruajtjes dhe forcimit të sistemit të së drejtës ndërkombëtare”, Vladimir Putin, president i Rusisë:
Përpara këtij takimi historik, Donald Trump dhe Xi Jinping zhvilluan edhe një bisedë të veçantë kokë më kokë. Ky ishte takimi i tretë mes dy presidentëve brenda këtij viti.
Trump e cilësoi marrëdhënien me homologun kinez si miqësore dhe theksoi interesat e përbashkëta. Ai la të kuptohej gjithashtu se do të kërkonte nga Pekini rritjen e blerjeve të produkteve bujqësore amerikane. Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave kineze, Xi Jinping ngriti çështjen e Tajvanit dhe kërkoi përmirësimin e komunikimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare.
Në agjendën e presidentit amerikan u shtua gjithashtu një takim i veçantë me Vladimir Putinin.
“Po ky kush është? Ky është miku im! Kemi pasur marrëdhënie shumë të mira për shumë vite. Njihemi prej kohësh dhe mendoj se nga ky takim mund të dalin shumë gjëra të mrekullueshme, ose të paktën mund të jetë fillimi i tyre.”, Donald Trump, president i SHBA-së.
Takimi i tre udhëheqësve shihet si një moment me rëndësi të veçantë për ekuilibrat gjeopolitikë, por mbetet për t’u parë nëse deklaratat për bashkëpunim dhe siguri globale do të përkthehen në marrëveshje konkrete.




