Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit lidhur me dështimin e organizimit të “Lojërave Mesdhetare”, duke thënë se përgjegjësia për këtë situatë i takon Qeverisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka pretenduar se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare ka njoftuar për anulimin e takimit për tri arsye: mospagesën, mosdërgimin e emrave të delegacionit dhe mungesën e përgjigjeve në komunikimet elektronike.


“Kryeministër, paske provu me ia bartë Prishtinës fajin për dështimin e ‘Lojërave Mesdhetare’!

Në komunikimin e fundit, ‘Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare’ thotë se takimi është anuluar për këto arsye:

  1. Pagesa s’është kryer.
  2. Emrat e delegacionit s’janë dërguar.
  3. Nuk jeni përgjigjur në email-a”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se përgjegjësia për përmbushjen e këtyre tri obligimeve i takonte Qeverisë.

“Kush ka pasur me i bërë këto?

  1. Qeveria.
  2. Qeveria.
  3. Qeveria.

Qikaq e thjeshtë është!”, ka përfunduar Rama.

Kryetari i Prishtinës, përmes këtij reagimi, ka kundërshtuar përpjekjet që, sipas tij, përgjegjësia për dështimin e organizimit të “Lojërave Mesdhetare” t'i bartet kryeqytetit. /Telegrafi/