Mbështetja për Ukrainën dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë kanë mbledhur pasditen e kësaj të enjteje në Berlin mbi 30 liderë, mes tyre edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, në samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve”.

Takimi, i organizuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, ka në fokus garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Në tryezë marrin pjesë edhe të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të përfshirë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes forcës. Në një postim në rrjetin X, ajo e cilësoi të rëndësishëm takimin në Berlin dhe siguroi se Bashkimi Evropian nuk do të ndalë mbështetjen për Kievin.

“Vetëm përmes forcës mund të arrijmë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Do të vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën dhe do të mbajmë presion të plotë ndaj Rusisë. Evropa mbetet e fortë dhe e bashkuar”, shkroi Von der Leyen.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi se çështjet që prekin Evropën duhet të diskutohen nga vetë evropianët.

“Ajo që ka të bëjë me Evropën duhet të diskutohet nga Evropa”, shkroi Costa në rrjetin X, duke shtuar se përparësia e menjëhershme mbetet mbështetja për Ukrainën dhe ushtrimi i presionit ndaj Moskës për ta ulur në tryezën e negociatave.

Ai bëri të ditur gjithashtu se liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë propozimin e Komisionit Evropian për financimin e Ukrainës në mbledhjen e Këshillit Evropian javën e ardhshme.

Nga Berlini, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përshëndeti përpjekjet për negociata paqeje, por theksoi se Ukraina duhet të vazhdojë të marrë armë dhe ndihma për të qenë në një pozicion të fortë.

“Është shumë pozitive që në Abu Dhabi Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord që Evropa të përfshihet. Por duhet të flasim edhe për mënyrën se si ta mbajmë Ukrainën të fortë për sa kohë lufta vazhdon, në mënyrë që të ketë armë të mjaftueshme dhe të marrë ndihma të tjera”, deklaroi Rutte.

Në kuadër të samitit, kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi një bisedë të shkurtër me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pas fotografisë së përbashkët të liderëve. Ajo bisedoi gjithashtu me kryeministrin britanik Andy Burnham dhe të dërguarin amerikan Jared Kushner.

Paralelisht me takimin, Britania e Madhe njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, me vlerë 260 milionë paund, rreth 342 milionë dollarë. Paketa përfshin mbi 1 mijë dronë me rreze të gjatë veprimi, të aftë të godasin objektiva në distanca mbi 1 mijë kilometra.

Sipas qeverisë britanike, këta dronë mund të mbajnë koka luftarake të rënda dhe do t’i mundësojnë ushtrisë ukrainase të godasë objekte të prodhimit ushtarak dhe objektiva të tjerë të ligjshëm ushtarakë larg vijës së frontit.

Samiti në Berlin zhvillohet ndërsa lufta vazhdon dhe Rusia ka paralajmëruar kundërpërgjigje pas sulmit të tretë ukrainas ndaj urës së Krimesë. Presidenti rus Vladimir Putin ka përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje për armëpushim në disa zona pas këtij sulmi, duke paralajmëruar se përgjigjja e Moskës do të jetë “shumë më e dhimbshme”.