Nico Paz ka filluar të spikasë me paraqitjet e tij si në Como ashtu edhe në ekipin kombëtar të Argjentinës, me emrin e tij që është gjithnjë e më shumë në qendër të diskutimeve rreth të ardhmes së Albiceleste.

Në fakt, një takim i veçantë me nënën e Lionel Messit u shoqërua me një replikë që do të jetë e vështirë të harrohet.

Siç zbuloi xhaxhai i mesfushorit 22-vjeçar, Fabian Paz, në një intervistë me “Radio La Red”, Celia Cuccitini pati mundësinë të takonte futbollistin e ri pas një ndeshjeje të ekipit kombëtar të Argjentinës dhe i tha se e sheh atë si pasardhësin e djalit të saj.

“Nico doli nga dhoma e zhveshjes dhe nëna e Messit ishte aty, e emocionuar dhe me lot në sy. Ai shkoi ta përshëndeste, pasi e njihte, dhe ajo i mori dorën dhe i tha: ‘Ti je pasardhësi i djalit tim'”, tha xhaxhai i tij.

Ky moment i veçantë e habiti Pazin, i cili, sipas të afërmit të tij, nuk e priste një deklaratë të tillë nga nëna e futbollistit kryesor argjentinas.

Pavarësisht krahasimeve që kanë filluar të bëhen midis dy futbollistëve, Nico Paz mbetet me këmbë në tokë dhe nuk dëshiron të hyjë në procesin e pretendimit për emërimin e pasardhësit të Messit.

Fabian Paz sqaroi se nipi i tij nuk e sheh veten në këtë mënyrë, duke theksuar se gëzimi i tij më i madh ishte mundësia për t’u takuar dhe për të garuar përkrah idhullit të tij.

“Niko është shumë i qetë dhe i thjeshtë. Ai nuk e konsideron veten pasardhës të Messit. Për të, gjëja më e rëndësishme ishte që e takoi dhe luajti me të. Ishte sikur të prekje qiellin”, tha ai.