
Ministri gjerman Alexander Dobrindt (djathtas) dhe kreu i BSI-së, Claudia Plattner, zbulojnë përmasat e kërcënimit gjatë një konference për shtyp në Berlin, të enjten
Sulmet kibernetike ndaj institucioneve politike dhe bizneseve gjermane janë shtuar ndjeshëm gjatë 10 muajve të fundit për shkak të inteligjencës artificiale, ka deklaruar autoriteti i Berlinit për sigurinë e informacionit, duke paralajmëruar se vendi është “kritikisht” i cenueshëm ndaj sulmeve të tilla.
“Situata e sigurisë, niveli i kërcënimit në hapësirën kibernetike, është përkeqësuar ndjeshëm”, tha të enjten ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt. “Niveli i kërcënimit në hapësirën kibernetike është i lartë dhe perspektiva është kritike”.
Claudia Plattner, drejtuese e Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI), tha se institucionet dhe bizneset gjermane ndodhen tashmë në një mjedis “darvinian”, ku vetëm më të fortët mund të pritet t’u mbijetojnë sulmeve kibernetike pa pësuar dëme.
“Ne presim sulme në një shkallë shumë më të gjerë, të kryera nga agjentë të inteligjencës artificiale që veprojnë në mënyrë autonome, të cilët i kemi parë tashmë gjatë kësaj vere”, tha ajo.
Deklaratat vijnë vetëm pak javë pasi hakerat shkatërruan ushqime me vlerë miliona euro në të gjithë Evropën, duke shkaktuar mbinxehjen e frigoriferëve në supermarkete. Qeveria franceze ia ka atribuar atë sulm Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, shkruan Ft.
Në përpjekje për të treguar seriozitetin e problemit, BSI, e cila mbron vetë sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë gjermane, publikoi për herë të parë një barometër publik të kërcënimeve. Ky indeks bazohet në të dhënat e sulmeve në kohë reale, të mbledhura brenda sistemit nga pajisjet e vetë BSI-së.
Nga mesi i vitit 2023 deri në fund të vitit 2025, indeksi u rrit nga 90 në 130 pikë, ndërsa paqëndrueshmëria globale dhe ndryshimet e shpejta teknologjike shtuan cenueshmërinë dixhitale të organizatave në Gjermani dhe sulmet u intensifikuan vazhdimisht.
Që nga janari i këtij viti, indeksi është rritur nga 130 në 238 pikë, një rritje prej 83 për qind.

Një njoftim në një supermarket belg lidhur me një ndërhyrje kibernetike në sistemin e ftohjes, e ndodhur më herët gjatë këtij muaji
“Po përballemi me mjete që mundësojnë kryerjen e sulmeve kibernetike në një shkallë dhe me shpejtësi të paprecedentë”, tha Plattner, duke paralajmëruar se situata pritet të përkeqësohet.
Sulmet e ngjashme me atë ndaj frigoriferëve në Evropë, gjatë të cilit hakerat hynë në sisteme duke shfrytëzuar një dobësi të panjohur më parë në programet e tyre, janë rritur me 48 për qind në Gjermani këtë vit, tha BSI.
Sulme të tilla, të njohura si shfrytëzime të dobësive “zero-day”, dikur konsideroheshin të rralla dhe besohej se mund të zbuloheshin e shfrytëzoheshin vetëm nga hakerat më të sofistikuar, të mbështetur nga shtete.
Sipas BSI-së, inteligjenca artificiale po e bën shumë më të lehtë zbulimin dhe shfrytëzimin e këtyre dobësive. Zyra iu referua një studimi të Anthropic, i cili tregoi një rritje tetëfish të numrit të dobësive “serioze” të identifikuara në shfletuesit kryesorë të internetit këtë vit, krahasuar me një vit më parë.
Koha e nevojshme për t’i shndërruar këto dobësi në mjete sulmi është shkurtuar gjithashtu “në mënyrë dramatike”, tha BSI.
Në fund të vitit 2024, një dobësi “zero-day” kërkonte mesatarisht rreth dy muaj nga zbulimi deri në shfrytëzimin e saj nga hakerat keqdashës, të cilët e përdornin në programe kompjuterike të dëmshme. Në vitin 2026, koha mesatare nga zbulimi deri në shfrytëzim ka rënë në rreth tetë ditë.
Në disa raste, tha BSI, dobësitë “zero-day” po shfrytëzoheshin në shkallë të gjerë brenda pak orësh nga momenti kur agjentët e inteligjencës artificiale i zbulonin ato.