Policia kontrollon 102 lokale në Kosovë, mbyllen 15 prej tyre – arrestohen tetë persona për prostitucion
Policia e Kosovës ka realizuar Planin Operativ “Vjeshta 2026”, në kuadër të të cilit janë kontrolluar 40 lokale të muzikës live dhe 62 qendra masazhi në të gjithë territorin e vendit. Gjatë këtij operacioni janë mbyllur 15 lokale për shkak të shkeljeve administrative, ndërsa tetë persona janë arrestuar në katër raste të evidentuara të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”.
Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është zhvilluar nga data 3 deri më 17 nëntor 2026, nën udhëheqjen e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në koordinim me inspektorë të Inspektoratit Qendror të Tregut, Inspektoratit Qendror të Punës, Administratës Tatimore të Kosovës dhe inspektorëve sanitarë.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Departamentit të Kufirit – Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, Njësisë Speciale Operative, Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe zyrtarë nga drejtoritë rajonale të Policisë.
Gjatë kontrollimit të 40 lokaleve të muzikës live, Policia ka hasur gjithsej 285 persona, prej tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Në mesin e tyre, 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 168 shtetas të huaj.
Nga shtetaset e huaja, 155 ishin nga Shqipëria, nëntë nga Serbia, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.
Si rezultat i inspektimeve, tetë lokale të muzikës live janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për shkak të shkeljeve administrative.
Kontrolle janë kryer edhe në 62 qendra masazhi, ku janë identifikuar 120 persona, përkatësisht 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetase të Kosovës, ndërsa 47 shtetase të huaja.
Në mesin e këtyre të fundit, 19 ishin nga Shqipëria, 27 nga Tajlanda dhe një nga Serbia.
Për shkak të shkeljeve administrative, shtatë qendra masazhi janë mbyllur nga inspektorët përkatës.
Tetë të arrestuar për prostitucion
Gjatë realizimit të Planit Operativ “Vjeshta 2026”, Policia ka evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të lidhura me shërbimet eskortë.
Në këto raste janë arrestuar gjithsej tetë persona: katër meshkuj, prej të cilëve tre shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë, si dhe katër femra, një shtetase e Brazilit dhe tri shtetase të Kolumbisë.
Policia ka bërë të ditur se për rastet e evidentuara janë dorëzuar fletëparaqitjet në gjykatë. Të dyshuarve u janë shqiptuar gjoba, ndërsa shtetaseve të huaja, me vendim të gjykatës, u janë shqiptuar edhe masat plotësuese të dëbimit nga territori i Kosovës dhe ndalimit të hyrjes në vend për periudha nga gjashtë muaj deri në tri vjet.
Ndërkaq, sipas Policisë, gjatë këtij operacioni të gjitha punëtoreve të hasura në lokalet e muzikës live, qendrat e masazhit dhe shërbimet eskortë u është ofruar mundësia të deklaroheshin nëse ishin viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit me qenie njerëzore.
Policia ka bërë të ditur se nga këto deklarime nuk është identifikuar asnjë rast i trafikimit me qenie njerëzore.




























