E enjte, 19 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Peqini si një tjetër dosje “5D”, zyrtarë të bashkisë dhe një mësues përfitojnë miliona euro nga tenderat publikë
Lajme

Peqini si një tjetër dosje “5D”, zyrtarë të bashkisë dhe një mësues përfitojnë miliona euro nga tenderat publikë

Një skemë e ngjashme me atë të dosjes “5D” në Tiranë ngre pikëpyetje për mënyrën se si shpërndahen tenderat publikë në Bashkinë e Peqinit. Në qendër të një investigimi janë tre kompani, “T&J Construction”, “LLUCA” dhe “Impuls 10”, të cilat, sipas të dhënave të analizuara nga regjistrat tregtarë dhe transaksionet publike, kanë përfituar mbi 1.3 miliardë lekë, ose rreth 13 milionë euro, nga kontratat dhe pagesat e bashkive.

Rasti më i fundit lidhet me kompaninë “T&J Construction”, e cila vetëm gjatë datave 16 dhe 17 nëntor është shpallur fituese e tre tenderave me vlerë totale 477 milionë lekë, rreth 5.3 milionë euro. Kontratat përfshijnë rehabilitimin e kanalit të ujëmbledhësit Llakaj në Has, rikonstruksionin e Kinoteatrit në Sarandë dhe rikonstruksionin e shkollës “Andon Zako Çajupi” në Gjirokastër.

Sipas investigimit, kompania është themeluar në nëntor 2022 nga Julian Manahasa, i cili mban detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Peqin. Në tetor 2024, në drejtimin e saj hyri Emilian Lluca, ish-punonjës i bashkisë për më shumë se dhjetë vite, i cili bleu edhe 50% të aksioneve. Për disa muaj, Lluca rezulton të ketë mbajtur njëkohësisht detyrën në administratën vendore dhe pozicionin e administratorit të kompanisë private.

Ndërkohë, një tjetër lidhje që ngre pikëpyetje është ajo mes kompanisë “LLUCA” dhe familjes Lluca. Emilian Lluca është djali i pronarit të saj, Naim Lluca. Sipas të dhënave të publikuara, Bashkia Peqin i ka kaluar kësaj kompanie 154.5 milionë lekë përmes 79 pagesave, ndërsa Bashkia Kavajë edhe 145.4 milionë lekë të tjera.

Në këtë rrjet biznesesh përfshihet edhe “Impuls 10”, e themeluar nga Adnand Dranga, i cili prej vitit 2012 punon si mësues i gjuhëve të huaja në Zyrën Vendore Arsimore Peqin. Pavarësisht punësimit në sektorin publik, ai rezulton të ketë drejtuar njëkohësisht edhe kompaninë private. Brenda pak muajsh, kjo shoqëri ka fituar 16 kontrata publike me vlerë 165 milionë lekë, kryesisht nga Bashkitë Elbasan dhe Peqin.

Të dhënat e publikuara ngrenë pikëpyetje mbi konfliktin e mundshëm të interesit dhe mënyrën e zhvillimit të procedurave të prokurimit, veçanërisht në rastet kur kompanitë lidhen me persona që kanë pasur ose mbajnë ende funksione publike.

Një tjetër element që bie në sy është se një pjesë e konsiderueshme e pagesave për këto kompani ka ardhur edhe nga bashki të drejtuara nga opozita, duke treguar se përfitimi nga kontratat publike nuk kufizohet vetëm në një kah politik.

Përballë këtyre të dhënave, mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse, SPAK, ILDKPKI dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, do të nisin verifikimet për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me procedura të rregullta apo me një mekanizëm të mundshëm përfitimi nga fondet publike.

 

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.