Autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës i kanë ndaluar hyrjen në vend Millan Radoiçiqit, personit të dyshuar për organizimin e sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, pasi e kanë vlerësuar atë si rrezik për sigurinë kombëtare. Këtë e kanë konfirmuar burime të sigurisë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas këtyre burimeve, masa është marrë më 13 nëntor, pra katër ditë përpara se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte paraburgimin e tij dhe ta shpallte në kërkim, pasi ai nuk iu përgjigj thirrjes së policisë më 15 nëntor.
Të lidhura
None found
Paraqitja e detyrueshme në polici ishte një nga masat e mbikëqyrjes të caktuara ndaj tij, brenda procedurës që po zhvillohet për çështjen e Banjskës.
Institucionet kompetente të Bosnje dhe Hercegovinës nuk kanë dhënë detaje mbi këtë vendim dhe as mbi arsyet pse Radoiçiq konsiderohet rrezik për sigurinë kombëtare.
Në praktikë, ky ndalim do të thotë se, nëse Radoiçiq përpiqet të hyjë në Bosnje dhe Hercegovinë, atij do t’i refuzohet hyrja ose do të ndalohet në pikën kufitare apo në çdo pikë tjetër hyrjeje në këtë shtet.
Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje dhe Hercegovinës, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk disponon të dhëna që Millan Radoiçiq ka qëndruar ose po qëndron në territorin e këtij entiteti.
Ky reagim erdhi pas publikimeve në disa media se Radoiçiq ndodhet në Republikën Sërpska dhe se gëzon mbrojtjen e disa strukturave të pushtetit atje.
Në përgjigjen e saj, ministria theksoi: “Nuk kemi informacione se personi në fjalë ka qëndruar apo po qëndron në territorin e Republikës Sërpska. I hedhim poshtë si të pavërteta dhe dashakeqe pretendimet se ai mbrohet nga pjesëtarë të Ministrisë sonë”.
Ministria sqaroi gjithashtu se përgjegjësinë për kontrollin e kufirit shtetëror e mban Policia Kufitare e Bosnje dhe Hercegovinës, e cila grumbullon të dhëna për personat që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Ajo shtoi se vepron në bazë të të gjitha urdhërarrestimeve ndërkombëtare dhe se ka bashkëpunim të mirë e profesional me policitë e rajonit dhe më gjerë.
Vendimi për ndalimin e hyrjes vjen në një kohë kur vendndodhja e Radoiçiqit mbetet e panjohur, pasi ai nuk ka qenë i disponueshëm për organet e drejtësisë në Serbi gjatë ditëve të fundit.
Më herët, atij i ishte konfiskuar pasaporta dhe i ishte ndaluar të largohej nga vendbanimi pa lejen e autoriteteve përkatëse. Ai gjithashtu kishte ndalesë për të udhëtuar në Kosovë.
Zhdukja e tij ndodhi pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e mbajtura në fund të tetorit në Serbi.
Disa ditë para se të shpallej në kërkim, qarkulluan informacione të pakonfirmuara se Radoiçiq ishte larguar nga Serbia drejt Rusisë, por Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dhe ambasada ruse në Beograd nuk i konfirmuan këto pretendime.
Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023. Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në Serbi, Radoiçiq po hetohet për disa vepra penale që lidhen me sigurimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm. Megjithatë, edhe pas tre vjetësh, ndaj tij nuk është ngritur aktakuzë. Prokuroria serbe, pas pranisë së Radoiçiqit në një tubim elektoral, ka deklaruar se hetimet për Banjskën po vazhdojnë.
Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, përfshirë Radoiçiqin, i cili po gjykohet në mungesë. Kosova ka lëshuar gjithashtu fletarrest ndërkombëtar për të, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara – UNMIK.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë vendosur më herët sanksione ndaj tij, për përfshirje të dyshuar në krim të organizuar dhe korrupsion.
Vendimi për t’i ndaluar hyrjen në Bosnje dhe Hercegovinë u mor vetëm pak ditë pasi nga ky vend u largua Zvonko Vesellinoviq, bashkëpunëtor shumëvjeçar i Radoiçiqit në biznes. Burime të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë kanë konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se Vesellinoviq ishte larguar më 11 nëntor nga Sarajeva drejt Turqisë, duke përdorur pasaportën serbe.







