Tirana International Airport (TIA) ka regjistruar shifra rekord të fluksit të udhëtarëve gjatë ditëve të para të nëntorit. Sipas një postimi në rrjetet sociale nga TIA,  në 10 ditët e para të muajit kanë udhëtuar 300 mijë pasagjerë, ndërsa vetëm më 1 nëntor janë regjistruar 38 670 pasagjerë, të cilët janë nisur ose kanë mbërritur në Tiranë përmes 226 fluturimeve.

TIA e cilëson këtë shifër si një rekord historik për aeroportin, ndërsa bën me dije se po investon 40 milionë euro për transformimin dhe zgjerimin e kapaciteteve, me qëllim përballimin e flukseve në rritje dhe pritjen e më shumë udhëtarëve në të ardhmen.

Në kuadër të këtij investimi, nga 9 deri më 27 nëntor, punimet janë organizuar në 12 net, në mënyrë që operacionet dhe fluturimet të vijojnë normalisht gjatë ditës.

Sipas njoftimit, në kantier janë angazhuar 380 profesionistë, mes tyre 50 inxhinierë. Për realizimin e punimeve janë vënë në dispozicion 130 kamionë, 12 ekskavatorë, 30 betoniere, si dhe impiante moderne asfalti.

“Ditën udhëtojmë. Natën punojmë!”, është mesazhi i aeroportit, i cili falënderon ekipet e angazhuara në punimet që zhvillohen gjatë natës dhe pasagjerët që zgjedhin të udhëtojnë përmes TIA-s.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb