Tirana International Airport (TIA) ka regjistruar shifra rekord të fluksit të udhëtarëve gjatë ditëve të para të nëntorit. Sipas një postimi në rrjetet sociale nga TIA, në 10 ditët e para të muajit kanë udhëtuar 300 mijë pasagjerë, ndërsa vetëm më 1 nëntor janë regjistruar 38 670 pasagjerë, të cilët janë nisur ose kanë mbërritur në Tiranë përmes 226 fluturimeve.
TIA e cilëson këtë shifër si një rekord historik për aeroportin, ndërsa bën me dije se po investon 40 milionë euro për transformimin dhe zgjerimin e kapaciteteve, me qëllim përballimin e flukseve në rritje dhe pritjen e më shumë udhëtarëve në të ardhmen.
Në kuadër të këtij investimi, nga 9 deri më 27 nëntor, punimet janë organizuar në 12 net, në mënyrë që operacionet dhe fluturimet të vijojnë normalisht gjatë ditës.
“Ditën udhëtojmë. Natën punojmë!
300 mijë pasagjerë në 10 ditët e para të nëntorit. Vetëm më 1 nëntor, 38 670 pasagjerë u nisën ose mbërritën në Tiranë me 226 fluturime. Rekord historik për TIA-n!
Për të përballuar këto flukse dhe për të pritur edhe më shumë udhëtarë në të ardhmen, po investojmë 40 milionë euro në transformimin e aeroportit.
Nga 9 deri më 27 nëntor, punimet i kemi organizuar në vetëm 12 net, që fluturimet të vijojnë gjatë ditës. Në kantier punojnë 380 profesionistë, mes tyre 50 inxhinierë. Në dispozicion të tyre janë 130 kamionë, 12 ekskavatorë, 30 betoniere dhe impiante moderne asfalti.
Faleminderit skuadrave që punojnë ditën dhe natën dhe të gjithëve ju që fluturoni me ne. Gati për rekorde të reja!”- shkruan TIA në një video në rrjete sociale.













