Kryeministri Edi Rama, para nisjes së samitit të “Koalicionit të Vullnetmirëve” në Berlin, në një prononcim për gazetarët e ka cilësuar si një gabim strategjik faktin që Evropa nuk kishte krijuar që në fillim një grup përfaqësues për komunikimin me Rusinë.

Rama përshëndeti më tej vendimin e marrë në Dublin për krijimin e këtij grupi, i cili do të flasë në emër të Evropës në rast të një komunikimi të mundshëm me Moskën. Në fund të fjalës së tij Kryeministri shtoi se shpreson që komunikimi të ketë rifilluar.

“Është një moment dhe një mundësi e mirë për tu mbledhur këtu, në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh dhe asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Evropës në një komunikim të mundshëm me Rusinë. Thashë se është një gjë që duhej bërë dhe që më në fund ndodhi. Evropa vendosi të ketë një grup në vijën e parë që do ta përfaqësojë në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që kjo nuk u bë që në fillim. Në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre. Tani, shpresojmë, komunikimi ka rifilluar dhe mbetet të shohim se si do të shkojë”, tha Rama.