Farka e pushtuar nga përbindëshat e betonit, Alarmi i KLSH: Diga e liqenit u dëmtua nga kamionët dhe betonjeret
Diga e Liqenit të Farkës, e ndërtuar në vitin 1984, paraqet problematika të konstatuara nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Njëri prej shkarkuesve fundorë është jashtë funksionit, ndërsa janë evidentuar dëmtime në shtresën e betonit të kurorës së digës dhe në fugat e perdes së betonit të skarpatës së sipërme, shkruan InfoNews. Paralelisht, KLSH ngre shqetësimin se Bashkia e Tiranës ka hartuar Planin e Gatishmërisë për Emergjencat Civile vetëm për digën e Farkës, nga 38 diga të mëdha që ka në administrim.
Alarmi i KLSH: Diga e liqenit u dëmtua nga kamionët dhe betonjeret
Problemet e konstatuara në digën e Farkës dhe mungesa e planeve të gatishmërisë për pjesën dërrmuese të digave të mëdha në shfrytëzim nga Bashkia e Tiranës janë pjesë e gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që evidenton mangësi në menaxhimin dhe sigurinë e këtyre veprave ujore.
Sipas raportit, gjatë verifikimit në terren, grupi i auditimit ka konstatuar se njëri prej shkarkuesve fundorë të digës së Farkës është jashtë funksionit. Po ashtu, është evidentuar dëmtim i shtresës së betonit në kurorën e digës, kryesisht si pasojë e lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë mbi të. Probleme janë konstatuar edhe në fugat e perdes së betonit të skarpatës së sipërme.
Pavarësisht problematikave të evidentuara nga KLSH, në kurorën e digës së Liqenit të Farkës vijon të ketë qarkullim të mjeteve të tonazhit të rëndë, ndërkohë që zona përreth liqenit ka njohur një zhvillim të konsiderueshëm ndërtimor. Në këtë zonë janë ndërtuar komplekse pallatesh, njësi banimi dhe vila, duke shtuar aktivitetin e ndërtimit dhe qarkullimin e mjeteve të rënda në territor. Ky fakt merr rëndësi të veçantë në kushtet kur vetë KLSH ka evidentuar se lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë mbi kurorën e digës ka qenë një nga shkaqet kryesore të dëmtimit të shtresës së betonit. Kjo ngre pikëpyetje mbi kontrollin e qarkullimit të mjeteve mbi digë dhe masat që po merr Bashkia e Tiranës për të garantuar sigurinë dhe mirëmbajtjen e saj.
Diga e Farkës është ndërtuar në vitin 1984, ka një lartësi prej 32 metrash dhe gjatësi të kurorës prej 310 metrash. Ajo është ndërtuar për krijimin e rezervuarit me qëllim ujitjen e zonave përreth.
Për rehabilitimin e saj, Bashkia e Tiranës ka aplikuar në shkurt të vitit 2024 pranë Fondit për Digat, në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, me projektin “Rikonstruksioni i digës së rezervuarit të Farkës”. Sipas të dhënave të administruara nga auditimi, bashkia ka përfituar financim për këtë projekt.
Por problematikat nuk kufizohen vetëm te Farka.
Sipas shkresës së Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, nr. 15 prot., datë 31.01.2024, krahas digës së Farkës, edhe diga e Kasharit dhe ajo e Çekrezës janë identifikuar si vepra me nevojë urgjente për ndërhyrje rehabilituese.
Megjithatë, KLSH evidenton se Bashkia e Tiranës nuk ka aplikuar për financim pranë Fondit për Digat për këto dy vepra dhe nuk ka parashikuar ndërhyrje rehabilituese me fondet e veta. Raporti e lidh këtë situatë me mungesën e investimeve, aplikimeve dhe përthithjes së fondeve financiare, duke theksuar se këto mangësi nuk kanë mundësuar përmirësimin e gjendjes së digave që bashkia ka në shfrytëzim.
Sa i përket digës së Çekrezës, duhet theksuar se në një njoftim të datës 23 gusht 2023 është bërë e ditur se diga, e ndërtuar në vitin 1968, po rikonstruktohej nga Bashkia e Tiranës.
Një tjetër problematikë e rëndësishme lidhet me gatishmërinë në rastet e emergjencave civile. Sipas KLSH-së, Bashkia e Tiranës ka hartuar Planin e Gatishmërisë vetëm për digën e Farkës, nga 38 diga të mëdha që ka në shfrytëzim.
Mungesa e planeve të tilla përbën një cenim të rëndësishëm të përgatitjes për përballimin e situatave emergjente, duke rritur ekspozimin ndaj pasojave të mundshme ekonomike, mjedisore dhe sociale.
Gjetjet e KLSH-së ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si Bashkia e Tiranës po administron sigurinë dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së digave, veçanërisht në kushtet kur për disa prej tyre vetë Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha ka evidentuar nevojën urgjente për rehabilitim.












