Jared Kushner, dhëndri dhe i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, e ka cilësuar “shumë produktiv” takimin e zhvilluar këtë të enjte me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, Günter Sautter.
Në një postim në rrjetin X, Kushner bëri të ditur se i kishte informuar përfaqësuesit gjermanë mbi bisedimet e Trump në Kinë dhe përpjekjet e fundit për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.
“Vazhdojmë të punojmë në koordinim të ngushtë me Gjermaninë, Ukrainën dhe partnerët tanë evropianë për të përafruar qëndrimet dhe për t’u përgatitur për raundin e ardhshëm të negociatave”, shkroi ai.
Kushner e cilësoi Merz si “një mbështetës të fortë të paqes në Ukrainë dhe të një aleance të qëndrueshme euroatlantike”, duke vlerësuar angazhimin dhe bashkëpunimin e tij për t’i dhënë fund “kësaj lufte të tmerrshme” dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt e të begatë për Ukrainën dhe Evropën.
Mbështetja për Ukrainën dhe përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë kanë mbledhur pasditen e kësaj të enjteje në Berlin mbi 30 liderë, mes tyre edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, në samitin e “Koalicionit të Vullnetmirëve”.
Takimi, i organizuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, ka në fokus garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Në tryezë marrin pjesë edhe të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të përfshirë në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes forcës. Në një postim në rrjetin X, ajo e cilësoi të rëndësishëm takimin në Berlin dhe siguroi se Bashkimi Evropian nuk do të ndalë mbështetjen për Kievin.