Një ngjarje e rrallë ka ndodhur në Bruksel: dy aktivistë kanë hedhur mbi komisionerin europian për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi, një lëndë gri që i ngjante hirit.
Incidenti u shënua në çastin kur zyrtari europian ishte gati të fliste në samitin për luftën kundër kancerit. Dy protestuesit u ngjitën në skenë dhe i hodhën pluhurin mbi të, duke ndërprerë kështu aktivitetin.
Të lidhura
None found
Mediat e huaja raportojnë se aktivistët janë pjesë e organizatës franceze “Cancer Colère”, e cila mbledh njerëz të prekur nga kanceri dhe të mbijetuar nga kjo sëmundje.
Njëra prej aktivisteve deklaroi: “Jam paciente me kancer dhe po protestoj kundër ligjit Omnibus”.
Aktivisja tjetër iu drejtua komisionerit me këto fjalë: “Këto janë hiri i njerëzve që ju do të vrisni me pesticide”.
Kjo protestë lidhet me propozimet e reja të Komisionit Europian për ndryshimin e rregullave mbi autorizimin dhe përdorimin e pesticideve në Bashkimin Europian. Komisioni argumenton se ndryshimet synojnë të lehtësojnë procedurat për fermerët, por organizata të shumta mjedisore dhe shëndetësore e kundërshtojnë këtë nismë, duke ngritur shqetësime për pasojat e mundshme në shëndetin publik.
Pas incidentit, Várhelyi hoqi pluhurin nga rrobat dhe vazhdoi fjalimin.
Ai reagoi me pyetjen: “Çfarë lloj njerëzish jeni ju?”, duke shtuar se ishte i habitur që në emër të viktimave të kancerit të shpërndahej hiri i atyre që kanë humbur jetën.
Në sallë ndërhyri gjithashtu Elisabetta Zanon, drejtuese e Organizatës Europiane të Kancerit, e cila tha: “Kjo e tejkalon gjithçka që mund të kishim imagjinuar. Kërkojmë ndjesë”.
Raportohet se më shumë se 2 mijë shkencëtarë kanë nënshkruar një letër që kërkon pezullimin e propozimit derisa të bëhet një vlerësim i pavarur i ndikimit të tij.
Në të njëjtën kohë, më shumë se 300 organizata joqeveritare nga 25 vende europiane kanë paralajmëruar se do të protestojnë kundër nismës më 24 nëntor, para Parlamentit Europian në Strasburg.








