Një sulm që u atribuohet rebelëve Huthi të Jemenit ka goditur një nga rrokaqiejt më të lartë të kryeqytetit saudit, Riad, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Objektiv i sulmit ishte Kulla e Fondit të Investimeve Publike (PIF), një ndërtesë 80-katëshe dhe 385 metra e lartë, ku ndodhet selia e fondit sovran të Arabisë Saudite.
Nga goditja janë thyer xhamat në disa kate të ndërtesës dhe është dëmtuar fasada e saj, ndërsa dëme janë raportuar edhe në objektet përreth. Fatmirësisht, nuk ka raportime për viktima apo të plagosur. Pas incidentit, ekipet e emergjencës u mobilizuan menjëherë, ndërsa autoritetet saudite e dënuan sulmin, duke e cilësuar goditjen e objekteve civile si shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, sulmi vjen më pak se dy javë pas një tjetër goditjeje ndaj një ndërtese të kompanisë shtetërore të naftës Aramco, në të njëjtën zonë financiare të Riadit. Përshkallëzimi i sulmeve ndaj infrastrukturës dhe objekteve strategjike saudite ka shtuar shqetësimet për sigurinë në rajon.
