Parlamenti Studentor ka nisur protestën para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pas pakënaqësive lidhur me mënyrën e komunikimit të rektorit Arben Hajrullahu me studentët.

Protesta është organizuar pas një emaili të dërguar nga rektori, të cilin studentët e kanë interpretuar si kërcënues.


Gjatë protestës, njëri nga studentët i është drejtuar drejtpërdrejt rektorit Hajrullahu, duke i kërkuar që ta tërheqë emailin dhe të kërkojë falje.

Studenti ka kundërshtuar edhe krahasimin që, sipas tij, rektori ua ka bërë studentëve me “regjimin serb”, duke e konsideruar një gjuhë të papranueshme ndaj tyre.

Ndërkaq, rektori Arben Hajrullahu i ka ftuar protestuesit që të hyjnë në objektin e Rektoratit për të zhvilluar dialog.

Ai ka thënë gjithashtu se Policia nuk ka çfarë të kërkojë në oborrin e Universitetit të Prishtinës, duke kërkuar që situata të trajtohet përmes komunikimit dhe dialogut.