
Aktivistë të një grupi që përbëhet nga persona që kanë mposhtur kancerin i hodhën mbi kokë shefit të shëndetësisë së BE-së atë që dukej si hi, në shenjë proteste kundër rregullave të reja evropiane që lehtësojnë përdorimin e pesticideve.
Komisioneri për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi, ishte gati të mbante një fjalim në një samit për kancerin, ku do të fliste për punën e BE-së për luftimin e kësaj sëmundjeje, kur dy protestues u ngjitën në skenë dhe i hodhën sipër një substancë gri, në formë pluhuri.
“Unë jam paciente me kancer; po protestoj kundër ligjit omnibus”, tha njëra prej aktivisteve të grupit francez Cancer Colère. “Këto janë hiri i njerëzve që ju do të vrisni me pesticidet”, tha një tjetër. Njëra prej protestuesve ishte Fleur Breteau, shkrimtare dhe aktiviste franceze. Identiteti i protestueses tjetër nuk u bë i ditur, shkruan Politico.
Komisioni Evropian e prezantoi paketën omnibus si një mënyrë për të përshpejtuar shqyrtimin e kërkesave të prapambetura për miratimin e pesticideve, me synimin për t’ua lehtësuar punën fermerëve. Por kjo nismë kundërshtohet fuqishëm nga shumë organizata të shoqërisë civile.
Më shumë se 2,000 shkencëtarë kanë nënshkruar një letër ku kërkojnë që propozimi të pezullohet deri në kryerjen e një vlerësimi të pavarur të ndikimit të tij. Organizata për mbrojtjen e konsumatorëve Foodwatch e ka çuar çështjen te Ombudsmani Evropian, duke akuzuar Komisionin për keqadministrim, ndërsa organizatat joqeveritare kanë organizuar protesta të shumta.
Më shumë se 300 organizata joqeveritare — përfshirë organizata mjedisore, shoqata bletarësh dhe grupe që përfaqësojnë viktimat e pesticideve, si dhe mjekë e shkencëtarë — nga 25 vende evropiane do të mblidhen jashtë Parlamentit Evropian në Strasburg, në orën 14:00 të datës 24 nëntor, për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj paketës omnibus.
Várhelyi fshiu pluhurin nga vetja, duke shfaqur qartë pakënaqësinë, dhe vazhdoi fjalimin sipas planit.
“Çfarë lloj njerëzish jeni ju?”, u shpreh ai. “Siç po thosha, mirëmëngjes. Jam pak i habitur që, në emër të viktimave të kancerit, ato guxojnë të hedhin hirin e njerëzve që kanë ndërruar jetë”.
“Kjo shkon përtej gjithçkaje që mund të kishim imagjinuar. Kërkojmë ndjesë”, tha Elisabetta Zanon, drejtuese e Organizatës Evropiane të Kancerit, drejtuar të pranishmëve.