“Sot shkuesitë janë në TikTok”/ Të ftuarat në “Takohemi n’Vizion”: E tmerrshme të prezantohet partnerja si “shoqja”

Martesa nuk shihet më si një hap që duhet ndërmarrë patjetër në një moshë të caktuar, ndërsa bashkëjetesa, karriera dhe dëshira për t’u realizuar individualisht po ndikojnë gjithnjë e më shumë në zgjedhjet e të rinjve. Por sa e vështirë është sot të gjesh partnerin e duhur dhe a është bashkëjetesa një mënyrë për të testuar marrëdhënien përpara celebrimit?
Kjo ishte tema e diskutimit në “Takohemi n’Vizion”, ku të ftuarat ndanë eksperiencat dhe këndvështrimet e tyre mbi martesën, frikën nga angazhimi dhe ndryshimin e vlerave familjare.
Pjesë nga intervista:
Fjodora Fjora: Sa ndikon presioni i familjes për t’u martuar?
Era Ademaj: Në kohën e sotshme nuk është se vlen shumë. Më parë ka qenë më shumë e ndikuar. Mbi të 30-at e ngucnin të krijonin një familje.
Suela Koçibellinj: Sot shkuesitë janë në TikTok. Shoh të rinj që kanë disa njohje paralele. Kjo, sa është interesante, aq kthehet në faktor rreziku. Nëse themi sa e vështirë është të gjesh sot partnerin e duhur, se kjo fjala “i duhur” është magjike. Sot janë shtuar sfidat. Sfida më e madhe është ekonomia, rritja në karrierë, studimet.
Era Ademaj: Unë bashkëjetoj. Por çelësi, para se një çift të martohet, është të bashkëjetojnë. Këtë kam përdorur edhe unë. Aty mësuam të mirat, të këqijat. Të ndërtosh një marrëdhënie të shëndetshme është më e vështirë sesa të gjesh personin e duhur. Çelësi është bashkëjetesa para se të martohesh.
Pranvera Dhima: Bashkëjetesa është pa hipotekë. S’jam për bashkëjetesë. Jam për njohje të gjatë. Nuk ka një person të duhur. Bëhemi të duhur për njëri-tjetrin.
Suela Koçibellinj: Bashkëjetesa është momenti i parë ku ti i sheh veset e partnerit, partneres.
Elvana Ligu: Marrëdhënia është investim. Ka përgjegjësi që duhen ndarë. Nuk besoj që jemi ndërtuar për të ndenjur vetëm.
Suela Koçibellinj: Gjithçka ecën me kohën. Unë jam e parimit që ato gjëra që kanë qenë të mira, të mundohemi t’i ruajmë dhe këtu fus edhe familjen. Shoqëria ka treguar që jemi të lirë. Nuk mund të heqim efektin e kohës.
Elvana Ligu: Ka njerëz që të rëndësishme kanë anën emocionale, ka njerëz që duan objektiva të njëjta, ka njerëz që emocionet i lënë pak në hije. Edhe pse unë mendoj që emocionet janë më të rëndësishmet. Për mua martesa me firma, me gjendje civile, nuk ka asnjë ndryshim nga bashkëjetesa serioze, jo nga ato që ndajnë qerat bashkë. Unë e kam provuar vetë dhe e kam pasur bashkëjetesën shumë serioze. Pastaj mënyra se si të prezantojnë në shoqëri, se ka njerëz që të prezantojnë “shoqja” dhe është e tmerrshme, domethënë. Se ne kemi edhe shokë e shoqe, nuk cilësohet partnerja shoqe.
/vizionplus.tv




