Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare Corrado Augias, një nga figurat më emblematike të gazetarisë, letërsisë dhe televizionit kulturor italian.
I lindur në Romë më 26 janar 1935, Augias la gjurmë të pashlyeshme në jetën publike italiane si gazetar, shkrimtar, dramaturg, prezantues televiziv dhe politikan, duke u konsideruar mbi të gjitha si një intelektual dhe përhapës i palodhur i kulturës.
I njohur për pasionin e tij të thellë për letërsinë, muzikën dhe historinë, si dhe për analizën e mprehtë të shoqërisë bashkëkohore, Augias u shqua për hirin në sjellje, stilin e tij të veçantë, autoironinë dhe kujtesën e jashtëzakonshme. Këto cilësi e mbajtën atë aktiv dhe pikë referimi për publikun deri në ditët e fundit të jetës, veçanërisht përmes drejtimit të emisionit të suksesshëm “Torre di Babele” në televizionin La7, të cilin e nisi në vitin 2023.
Për humbjen e tij ka reaguar me një mesazh ngushëllimi Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, i cili vlerësoi lart kontributin e tij disadekadësh në jetën demokratike dhe kulturore të vendit.
“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Corrado Augias dhe e ruaj kujtimin e një gazetari të lirë dhe një shkrimtari me shumë rafinim, i cili përshkoi dekada të jetës italiane dhe evropiane me mendim kritik, përmbajtje dhe kuriozitet të pashtershëm”, shkroi kreu i shtetit italian.
Presidenti Mattarella nënvizoi se përmes librave, artikujve, rubrikave dhe paraqitjeve televizive, Augias u prezantoi brezave të tërë qytetarëve letërsinë, historinë dhe muzikën, “pa hequr dorë kurrë nga kërkimet rigoroze, ushtrimi i dyshimit, praktika e dialogut dhe respekti për mendimet e të tjerëve”.
Duke shprehur ngushëllimet në emër të Republikës për bashkëshorten dhe vajzën e tij, Natalia, kreu i shtetit shtoi se “kultura e tij, pasioni i tij qytetar, i rrënjosur thellë në vlerat e Kushtetutës, dhe mirësia e tij do të mbeten një pikë referimi për të gjithë ata që e njohën dhe e respektuan”.
Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës për Corrado Augias do të mbahen të shtunën, më 21 nëntor, në “Sala della Protomoteca” në Kodrën e Kapitolit në Romë. Dyert për publikun do të jenë të hapura nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 18:00, me hyrje nga shkallët e Vignola-s.










