Pedagogu Aleksandër Biberaj, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet politike në vend, situatën brenda Partisë Demokratike, protestën kombëtare të 28 nëntorit dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë. Gjatë intervistës, Biberaj u ndal te nevoja për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke theksuar se listat e hapura do të krijonin më shumë hapësirë për konkurrencë politike dhe përfaqësim të kandidatëve jashtë strukturave drejtuese të partive.
“Kam qenë kritik me PD për Kodin Zgjedhor. I intereson dhe PD-së që listat të ishin të mbyllura. Tani, në 2024-2026, është kërkuar që Kodi Zgjedhor të parashikojë lista të hapura. Nëse Berisha është i sinqertë, është për t’u përshëndetur. PD duhet të insistojë. Edi Rama e di që do të largohet nga pushteti, duhet të bëjë kompromis për Kodin Zgjedhor. Duhet të merren vesh dhe për një Kod Zgjedhor që ndihmon për lëvizje të reja politike. PD është e përçarë që nga koha e Lulzim Bashës. PD është shumë e mbyllur. Listat e hapura e hapin partinë. Mund të marrësh votë dhe pa qenë kryetar partie. Ndryshimet kushtetuese në 2008 ndryshuan pluralizmin. Të gjitha ndryshimet i shërbyen Ramës. Marrëveshjet politike janë të dyshimta. Ka një dialektikë. Pas 36 vitesh, nëse partia nuk menaxhohet mirë, rrezikon”, deklaroi Biberaj.
Pedagogu foli edhe për mundësinë e krijimit të një lëvizjeje të re politike nga studentët, duke e cilësuar këtë një proces të vështirë, por duke theksuar se të rinjtë nuk duhet të tërhiqen përballë presioneve. “Nuk e kanë në dorë zoti Berisha protestën. Nëse lidershipi nuk ka vizion, partia do të bjerë poshtë e më poshtë. Kur flas për kohën, është kohë që do t’u duhet studentëve për të krijuar lëvizjen e tyre. Do e quajnë lëvizje apo parti, kjo është lëvizja e tyre. Nuk është e lehtë që të dilet në lëvizje. Nuk pyesin këta studentë për asnjë presion”, u shpreh ai.
I pyetur se çfarë pritet të ndodhë në protestën kombëtare të 28 nëntorit, Biberaj u shpreh optimist për pjesëmarrjen, ndërsa bëri akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
“Ne besojmë se protesta do të jetë madhështore. Kjo mazhorancë është e kalbur. Rama nuk ikën me tullumbace, por me zor. Po të kishte qenë opozita një institucion që e ‘tërheq’ zvarrë, ai nuk do të ishte sot. Populli ka urrejtje për Ramën”, deklaroi pedagogu. Një pjesë të rëndësishme të intervistës Biberaj ia kushtoi edhe SPAK-ut dhe çështjes së ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme duhet të kishte ndërmarrë një tjetër hap për kërkesën e arrestimit të saj, duke pretenduar se provat në këtë çështje janë të mjaftueshme.
“SPAK-u është në gjumë. Me rastin e Belinda Ballukut duket se ka një tërheqje. SPAK-u duhet të kishte bërë një kërkesë tjetër në Kuvend për arrestimin e saj. Në momentin që e çon në gjykatë mund të ketë zvarritje, por ky është rast konkret, i kapur në 100 herë. SPAK-u është në gjumë”, u shpreh Biberaj.
Në përfundim, pedagogu komentoi edhe mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë me tone të ashpra politike. Ai kërkoi largimin e kryeministrit Rama dhe akuzoi qeverinë për mungesë demokracie. “Një kryeministër nuk mund të thotë: më keni lënë vetëm. Asambleja e PS-së ishte ceremoni mortore. Ai është kriminel, duhet të largohet. Nuk ka më demokraci. Për këtë gjë është përgjegjës dhe Sali Berisha. Rama do të largohet me çdo mjet!”, përfundoi Aleksandër Biberaj.
