Mauricio Pochettino do ta nisë aventurën e tij te Manchester United me një përballje të madhe, pasi të dielën do të përballet me Liverpoolin në “Anfield”, në kuadër të Ligës Premier.

Pavarësisht se dy skuadrat ndodhen në pozita krejtësisht të ndryshme në tabelën e klasifikimit, trajneri argjentinas ka bërë të qartë se Unitedi nuk do të udhëtojë në Liverpool me frikë, por me synimin për të marrë fitoren.


“E dimë shumë mirë se çfarë përfaqëson kjo ndeshje dhe sa e rëndësishme është. Mendoj se jemi të vetëdijshëm se do të jetë një përballje e vështirë, por në të njëjtën kohë besojmë në mënyrën tonë të lojës”.

Ai theksoi se skuadra e tij do të hyjë në fushë me ambicie për të fituar, duke kërkuar një paraqitje me guxim në një prej stadiumeve më të vështira në Angli.

“Sigurisht që do të konkurrojmë. Do të shkojmë në ‘Anfield’ me synimin për të fituar, për të luajtur me guxim dhe për të qenë Manchester Unitedi, apo jo? Historia flet vetë për ne dhe për atë që duhet të presim nga Manchester Unitedi”.

Pochettino kërkoi nga futbollistët e tij të mos kenë frikë nga kundërshtari dhe të marrin iniciativën gjatë ndeshjes.

“Duhet të sigurohemi që të jemi guximtarë, ta marrim iniciativën dhe të shkojmë atje pa frikë, për t'u përballur me një skuadër shumë të mirë si Liverpooli”, përfundoi ai./Telegrafi/