Presidenti amerikan, Donald Trump, është vënë në qendër të vëmendjes pas publikimit të një videoje nga seanca plenare e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), ku ai shihet me sytë e mbyllur ndërsa presidenti kinez, Xi Jinping, po mbante fjalim.

Teksa Xi po fliste në një tryezë të rrumbullakët për rëndësinë e tregtisë së lirë dhe të hapur, kamera u përqendrua te Trumpi, i cili dukej se i kishte sytë mbyllur për rreth 10 sekonda.


Pamjet, të transmetuara fillimisht nga Televizioni Qendror i Kinës (CCTV), u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale, transmeton Telegrafi.

Kritikët e presidentit amerikan, përfshirë grupin “Republicans Against Trump”, pretenduan se videoja e tregonte atë duke fjetur gjatë takimit.

Trumpi, 80 vjeç, është përballur vazhdimisht me pikëpyetje lidhur me moshën e tij, veçanërisht pas disa rasteve të mëparshme kur është dukur sikur po e zinte gjumi gjatë paraqitjeve publike.

Megjithatë, ai i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime. Në janar, duke iu përgjigjur kritikave, Trump kishte deklaruar se takimet i duken “relaksuese” dhe se në ato raste thjesht po “i mbyllte dhe hapte sytë”.

Në të kaluarën, Trump kishte kritikuar shpesh paraardhësin e tij, Joe Biden, i cili është tre vjet më i moshuar, duke e quajtur “Sleepy Joe” dhe duke vënë në pikëpyetje energjinë dhe aftësinë e tij për të ushtruar detyrën e presidentit. /Telegrafi/