Shqipëria ka nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi në sektorin energjetik. Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë në Varshavë gjatë Ministerialit të Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik, organizuar në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Energjisë.
Në një prononcim për media, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi sqaroi se marrëveshja e parë lidhet me gazsjellësin që do të lidhë Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë me gazsjellësin TAP, ndërkohë marrëveshja e dytë ka të bëjë me projektin e Skavicës, për të cilin ministri tha se janë duke u përmbyllur studimet e nevojshme mjedisore të fizibilitetit, për ta bërë këtë projekt të financueshëm.
“Marrëveshja e parë për gazsjellësin që ndërlidh shtetin, kroat, të Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe për ta lidhur bashkë me TAP dhe ku Shqipëria nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me shtetin amerikan për këtë. Lajmi i mirë është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përfshira në këtë projekt dhe e konsiderojnë si nyje strategjike në rajon. Dhe marrëveshja e dytë lidhej me vijimin e projektit të Skavicës, tashmë bashkë me Bechtel po zhvillojmë dhe po përmbyllim të gjitha studimet e nevojshme mjedisore të fizibilitetit, kemi ecur mirë aty, po shikojmë edhe disa elemente të tjera teknike për ta bërë tashmë projektin të financueshëm”, tha Karakaçi.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi takime edhe me zyrtarë amerikanë të Departamentit të Energjisë, si edhe me ministrat homologë të tij, ku diskutoi mbi projekte që thellojnë bashkëpunimin mes vendeve. “Shfrytëzova rastin e mirë për të takuar ministren bullgare të energjisë. Të dy ndamë qëndrimin që bashkëpunimi energjetik ndërmjet dy shteteve tona duhet të thellohet dhe në dhjetor nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Energjisë së Bullgarisë. Ndamë lajme të mira të zhvillimit të linjave të transmetimit, tashmë linja e transmetimit ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ka përfunduar, ndërkohë po zhvillohet edhe linja e transmetimit të Maqedonisë së Veriut për të ndërlidhur tashmë gjithë korridorin e transmetimit ndërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë”, bëri të ditur Karakaçi.
Ministri theksoi më tej se tashmë sektori energjetik shqiptar është në një moment mjaftë të mirë, ku janë ndërmarrë reforma të rëndësishme për ta përafruar vendin tonë me Bashkimin Europian, si dhe janë zhvilluar projekte konkrete për rritjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, të cilat e kanë pozicionuar vendin tonë në një pikë tërheqëse për investimet e huaja.


