Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në shkallë vendi kundër trafikimit të qenieve njerëzore, gjatë të cilit janë kontrolluar 102 lokale, 15 prej tyre janë mbyllur për shkelje administrative, ndërsa 8 persona janë arrestuar për kundërvajtje që lidhen me prostitucionin.
Operacioni, i koduar “Vjeshta 2026”, u zhvillua nga 3 deri më 17 nëntor, nën drejtimin e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me inspektorë të institucioneve të ndryshme dhe njësi të Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë operacionit u kontrolluan 40 lokale ku zhvillohej aktivitet me muzikë live. Në këto ambiente u identifikuan 285 persona, 223 femra dhe 62 meshkuj. Nga personat e identifikuar, 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 168 shtetas të huaj. Në mesin e shtetaseve të huaja ishin 155 nga Shqipëria, 9 nga Serbia, 3 nga Maqedonia e Veriut dhe 1 nga Kolumbia.
Pas inspektimeve, 8 lokale me muzikë live u mbyllën për shkelje administrative nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Kontrollet u shtrinë edhe në 62 qendra masazhi në të gjithë territorin e Kosovës. Në këto ambiente u identifikuan 120 persona, 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetas të Kosovës dhe 47 shtetas të huaj. Në mesin e shtetaseve të huaja ishin 19 nga Shqipëria, 27 nga Tajlanda dhe një nga Serbia.
Si rezultat i inspektimeve, 7 qendra masazhi u mbyllën për shkelje administrative.
Gjatë operacionit u evidentuan gjithashtu 4 raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të lidhura me aktivitetin e eskortës.
Në këto raste u arrestuan gjithsej 8 persona: 4 meshkuj, 3 prej të cilëve shtetas të Kosovës dhe 1 i Shqipërisë, si dhe 4 femra, 1 shtetase e Brazilit dhe 3 të Kolumbisë.
Për këto kundërvajtje u dorëzuan fletëparaqitje në gjykatë, ndërsa personave të përfshirë iu shqiptuan gjoba. Gjithashtu, ndaj shtetaseve të huaja gjykata vendosi masa plotësuese për dëbimin nga territori i Kosovës dhe ndalimin e hyrjes në vend, për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Policia bëri të ditur se gjatë operacionit, të gjitha punëtoreve të konstatuara në lokalet me muzikë live, qendrat e masazhit dhe aktivitetin e eskortës iu dha mundësia të deklaronin nëse ishin viktima të ndonjë forme shfrytëzimi apo trafikimi.
Megjithatë, sipas Policisë, gjatë operacionit nuk u identifikua asnjë rast i trafikimit të qenieve njerëzore.













