Gazetari dhe analisti Agim Baçi, në një intervistë për News24, ka komentuar protestat, reagimin e Policisë së Shtetit, pakënaqësitë e qytetarëve ndaj administratës dhe zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste.

Baçi u ndal fillimisht te mënyra se si Policia duhet të menaxhojë protestat, duke theksuar se drejtuesit e saj duhet të japin udhëzime të qarta për trajtimin me korrektësi të protestuesve. Sipas tij, gjatë protestave të fundit janë tejkaluar kufijtë në ndërhyrjen ndaj qytetarëve.

“Çdo drejtues policie duhet të japë urdhra që t’i trajtojnë mirë protestuesit. Duhet të menaxhohet shumë mirë situata. Policët janë të trajnuar për të mos e kaluar situatën, por e kanë tejkaluar me këto protesta”, u shpreh ai. Analisti komentoi gjithashtu sjelljen e administratës shtetërore, veçanërisht të tatimorëve dhe inspektorëve, duke theksuar se ata duhet të jenë në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve, dhe jo të perceptohen si gjobëvënës.

“Çdo buxhet duhet të synojë krijimin e kushteve për objektivat e tyre. Zoti Rama duhet ta dijë se tatimorët dhe inspektorët e kanë kaluar masën. Siç ka thënë dhe zoti Sula, duhet të sillen si punonjës shteti dhe jo gjobëvënës. Tatimorin dhe inspektorin nuk duhet ta shohim si armik”, deklaroi Baçi.

Duke u ndalur te mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste, ai tha se, pavarësisht atmosferës së krijuar brenda saj, shqetësimi kryesor i mazhorancës mbetet situata në Bulevard, ku qytetarët dhe të rinjtë po shprehin pakënaqësitë e tyre.

“Pavarësisht atmosferës në Asamble, tregon se shqetësimi se çfarë po ndodh në Bulevard është i madh. Mazhoranca, opozita, ne si prindër, duhet të ndihemi të turpëruar nëse nuk u përgjigjemi të rinjve në shesh: ‘A do na ndihmoni që të ndërtojmë të ardhmen tonë?’”, u shpreh gazetari.

Sipas tij, zhvillimet në Bulevard nuk mund të anashkalohen nga drejtuesit politikë, ndërsa theksoi se Asambleja e PS-së nuk mund të zëvendësojë përgjegjësinë e qeverisë për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.

“Prania besnike është domethënëse, sepse nuk e shmang dot Bulevardin. Por, po nuk shkove te pyetja e drejtpërdrejtë, përgjigjja do të vonohet. Asambleja nuk është qeveria. Bulevardi është halli më i madh i Ramës, jo problemet brenda PS-së. Çështja e ditës është Bulevardi. Këtë gjë nuk e shmang dot as Asambleja”, theksoi Baçi.

Analisti komentoi edhe ftesën e kreut të PD-së, Sali Berisha, drejtuar Elisa Spiropalit dhe Erion Veliajt, duke e interpretuar atë si një përpjekje për të nxitur përçarje brenda Partisë Socialiste. Baçi rikujtoi se Berisha kishte bërë një ftesë të ngjashme edhe në vitin 2004, kur Veliaj drejtonte lëvizjen “Mjaft” dhe ishte në përplasje me qeverinë e Fatos Nanos.

“Fryte të tilla nga Berisha, po tenton të provokojë. Ai bëri ftesë dhe në 2004, kur Veliaj drejtonte Mjaft, kundër Nanos. Kur fton dikë në betejë, ka një moral. Por në emër të kujt do i ftosh? Berisha po tenton të bëjë politikë, po tenton të fusë përçarjen brenda PS-së. Veliaj dhe Spiropali po bëjnë betejë brenda PS-së”, u shpreh gazetari.

I pyetur nëse Erion Veliaj mund të angazhohet politikisht kundër Partisë Socialiste, Baçi la të hapur këtë mundësi, duke theksuar se në politikë asgjë nuk mund të përjashtohet kategorikisht. “Në politikë kurrë nuk thuhet kurrë. Kur bën ftesë të tillë, si në rastin e Berishës, do të tregosh se je i gatshëm që të ndash pushtet”, përfundoi Agim Baçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: