Aktori Alexander Haskin, i njohur për rolet e tij në disa produksione të Netflix dhe Hulu, ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare, pasi u gjet pa ndjenja në ujërat pranë skelës së Santa Monikës në Kaliforni. Ngjarja ndodhi më 16 nëntor, kur autoritetet bregdetare morën një njoftim për një person në det. Haskin u nxor nga uji nga ekipet e shpëtimit dhe u transportua në një varkë, ku iu nënshtrua menjëherë reanimimit kardiopulmonar.
Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, aktori u shpall i vdekur rreth 50 minuta pas njoftimit të parë për incidentin. Sipas policisë, deri më tani nuk ka prova që në ngjarje të jetë përfshirë një person tjetër. Autoritetet bëjnë me dije se aktori ishte vetëm dhe nuk kishte pasur kontakt me persona të tjerë në momentet para incidentit. Ky version mbështetet edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë.
Megjithatë, rrethanat e vdekjes mbeten të paqarta. Dyshimet se Haskin mund të ketë pasur një debat me një grua përpara se të përfundonte në det nuk janë konfirmuar. Babai i tij, Dana, i tha gazetës The California Post se komunikimi i fundit me të birin kishte qenë përmes një mesazhi që Alexander i kishte dërguar më herët gjatë asaj dite.
Sipas Metro, babai nuk pranoi të zbulonte përmbajtjen e mesazhit, por pranoi se vdekja e të birit kishte ngritur pikëpyetje për të. Dana, ish-oficer i Patrullës së Autostradave të Kalifornisë, deklaroi gjithashtu se Alexander nuk kishte shfaqur shenja shqetësimi përpara ngjarjes dhe se mezi priste të kalonte Ditën e Falënderimeve me familjen.
Ai shprehu dyshime edhe për versionin e mbytjes, duke theksuar se i biri dinte të notonte.
Përpara se të niste karrierën në aktrim, Alexander Haskin kishte punuar si trajner personal dhe kishte shërbyer në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara.
Ai ishte bërë i njohur për publikun përmes roleve në serialet You dhe The Rookie, si dhe në produksionin e Hulu Mayans M.C.. Vdekja e tij ka lënë pas pikëpyetje, ndërsa autoritetet vijojnë të shqyrtojnë rrethanat e incidentit.
