“Të drejtat dhe barazia e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk mund të jenë objekt negociatash apo pazareve politike”, ka deklaruar në Kuvendin e Serbisë, deputeti shqiptar Shaip Kamberi. Në fjalimin e tij para deputetëve serbë, Kamberi theksoi se shqiptarët janë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me shumicën e re parlamentare, por jo në kurriz të të drejtave të tyre. “Për mënyrën, dinamikën dhe mekanizmat institucionalë të zgjidhjes së problemeve mund të bisedojmë. Por për vetë të drejtën e barazisë nuk mund të negociojmë”, ka deklaruar Kamberi në Kuvend. Ai tha më tej se kërkesat e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk janë të reja, por probleme të pazgjidhura prej më shumë se 3 dekadash. Deputeti Kamberi kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, përfshirë Planin Shtatë Pikësh dhe Planin e Aksional të vitit 2022.