E enjte, 19 Nëntor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking 1/2 përditësuar 22 sekonda më parë
Kronikë

Samiti i tre fuqive në Kinë, gazetari Burim Li: Mesazhi kryesor ishte dialogu dhe ulja e tensioneve

Në Kinë u mbyll takimi i nivelit të lartë, i pari i këtij lloji midis tre njerëzve më të fuqishëm të botës, presidentëve kinez, amerikan dhe rus.

Gazetari Burim Li, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kina në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, e cilësoi atë si një takim historik.

Li u shpreh se mesazhi kryesor nga ky takim ishte nxitja e dialogut dhe ulja e tensioneve.

Gazetari foli edhe për marrëdhëniet shqiptaro-kineze dhe për lidhjen e tij me gjuhën shqipe.

Reklamë

INTERVISTA E PLOTË:

Sipas mendimit tënd, përse ishte i rëndësishëm ky takim i nivelit të lartë?

Burim Li: Ky është një takim historik. Për herë të parë krerët e Kinës, SHBA-së dhe Rusisë u ulën së bashku në të njëjtën tryezë. Mesazhi kryesor është se fuqitë e mëdha mund të gjejnë dhe kanë dëshirë të gjejnë fusha bashkëpunimi, dhe nga këndvështrimi i Kinës qëllimi nuk është ndarja e botës në grupe të reja, por nxitja e dialogut dhe ulja e tensioneve.

Çfarë ofroi Kina në këtë samit dhe çfarë mori nga dy shtetet e tjera, nga Rusia dhe nga Shtetet e Bashkuara?

Burim Li: Mendoj që është pak e herët për të peshuar se kush ka fituar dhe çfarë ka fituar më shumë nga ky takim. Patjetër që secili shtet ka objektivat e veta, por për Kinën mendoj se një nga rezultatet më të mëdha është vetë organizimi i këtij takimi historik. Pekini dëshiron të nxisë dialogun mes fuqive të mëdha dhe të ruajë një mjedis ndërkombëtar të qëndrueshëm. Për SHBA-në ky takim krijoi një mundësi për të diskutuar drejtpërdrejt me Kinën dhe Rusinë për çështje si armët bërthamore, Irani dhe siguria ndërkombëtare. Ndërsa për Rusinë mendoj se prania e SHBA-së ishte një mundësi për dialog në nivel më të lartë dhe për të paraqitur qëndrimin e saj për çështjen e sigurisë, patjetër duke përfshirë edhe Ukrainën. Pra, secili vend mund ta shohë këtë takim si një mundësi diplomatike.

Burim, ne besojmë se sot ka kinezë ndoshta jo pak që e mbajnë mend mirë miqësinë mes Shqipërisë dhe Kinës në kohën kur Shqipëria ishte një vend komunist. A është e vërtetë?

Burim Li: Po, patjetër dhe kjo miqësi po vijon, sepse shumë njerëz në Kinë e njohin Shqipërinë shumë mirë.

A mund të na tregosh si e ke mësuar shqipen kaq mirë? E flet shumë pastër, shumë rrjedhshëm.

Burim Li: Shumë faleminderit për vlerësimin Unë fillova të mësoja gjuhën shqipe në vitin 2012 në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit në degën e gjuhës shqipe. Siç e dini, për shkak të historisë së gjatë të miqësisë midis dy vendeve, dega e gjuhës shqipe në universitetin tim ka filluar që në vitin 1969 dhe deri tani ka një sistem shumë të përsosur për mësimin e gjuhës shqipe.

A ka kolegë të tjerë si ty, Burim, që flasin shqip? Sa mund të jenë ata gazetarë ose jo?

Burim Li: Po, ka studentë dhe ka edhe njerëz me profesione të lira. Tani ka studentë që po studiojnë gjuhën shqipe në universitet dhe numri i studentëve të gjuhës shqipe po rritet.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.