
Shqipëria ka shprehur solidaritetin me Holandën dhe Austrinë, pas sulmeve të fundit ruse ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, të cilat shkaktuan dëme edhe në mjediset e misioneve të tyre diplomatike. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha dënon sulmet dhe theksoi se goditjet e përsëritura ruse kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin e tyre në Kiev.
Qëndrimi i plotë
Shqipëria shpreh solidaritetin e plotë me Holandën dhe Austrinë pas sulmeve të fundit ruse ndaj Kievit, të cilat shkaktuan dëme në mjediset e tyre diplomatike. Ky nuk është një incident i izoluar. Sulmet e përsëritura të Rusisë kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin e tyre në Kiev, përfshirë edhe praninë diplomatike të Shqipërisë.
Ne i njohim nga afër rreziqet dhe pasojat e sulmeve të tilla. Misionet diplomatike dhe personeli i tyre gëzojnë mbrojtje sipas së drejtës ndërkombëtare. Siguria e tyre duhet të respektohet në çdo rrethanë.
Çdo sulm që i vë ata në rrezik është i papranueshëm, duhet të dënohet pa asnjë ekuivok dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Këto goditje janë një tjetër dëshmi e karakterit të pakursyer të luftës së agresionit që Rusia po vijon kundër Ukrainës dhe e shpërfilljes së hapur të së drejtës ndërkombëtare.
Ne duhet të mbetemi të bashkuar, të vendosur dhe të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe në qëndrimin tonë kundër agresionit rus.
