Një protestuese ka denoncuar dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës në Tiranë, duke theksuar se një grup vajzash u sulmua me gaz lotsjellës dhe spraj, edhe pse nuk po ushtronte asnjë akt dhune.
Në një prononcim për News24 pas përplasjes me efektivët, ajo tha se policia u kishte zënë pritë dhe kishte përdorur forcën ndaj tyre, duke vijuar sulmin edhe kur vajzat ndodheshin të shtrira në tokë.
“Policia na bëri pritë. Ishim një grup vajzash dhe na sulmuan me spraj lotsjellës. Edhe pse vajzat ishin të shtrira në tokë, ata vazhdonin akoma. Nuk ushtruam asnjë dhunë dhe na dhunuan. Është e drejta jonë të protestojmë. Na hodhën spraj dhe përdorën dhunë brutale”, u shpreh protestuesja.
Ajo akuzoi kryeministrin Edi Rama se, sipas saj, po përdor policinë për të shtypur protestat qytetare, ndërsa e cilësoi atë si përfaqësues të mafies në vend.
“Rama është krimineli më i madh, që përfaqëson mafien e vendit”, deklaroi ajo.
Protestuesja u shpreh gjithashtu se kryeministri po tregon frikë përballë qëndresës së qytetarëve dhe se nuk ka më legjitimitet për të vijuar qeverisjen.
“Rama po tregon se ka shumë frikë. E kuptoi se gjobat nuk po i merr kush seriozisht. Ai ka frikë, sepse ai ka rënë. Nuk ka legjitimitet të vazhdojë pushtetin e tij, sepse ka rënë”, përfundoi ajo.
