
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar pjesëmarrjen e demokratëve në protestat e qytetarëve, duke theksuar se angazhimi i strukturave të PD-së ka sjellë një pjesëmarrje më të madhe. Ai pohon se nuk ka konstatuar raste kur deputetëve të Partisë Demokratike t’u jetë refuzuar pjesëmarrja në protestë.
”Në momentin kur PD ka organizuar strukturat, ka pasur pjesëmarrje më të madhe, kjo është e dukshme. Nuk kam parë që në protestë të mos jenë pranuar deputetë të PD-së. Ajo është protestë pa pronarë. Mund të ketë zëra që nuk e duan Gazment Bardhin apo tjetrin. Kjo është një gjë normale.
Ajo që ka bërë diferencën në fakt është se qëllimi madhor i protestës është rrëzimi i Ramës dhe jo beteja kundër opozitës apo përfaqësuesve të saj. Nëse do të përfshiheshim në histori që nuk më pëlqen ky apo ai, do t’i shërbenim Edi Ramës. Këto segmente e kanë bërë në mënyrë të qëllimshme këtë gjë”, tha ai.
