Manchester City, shtohen telashet pas fajësisë, vjen një bllokim i rëndësishëm financiar
‘Pikërisht kjo është pjesa delikate. Është e vështirë të shpjegohet’. Fernando Torres e paralajmëron këtë përpara se të rrëfejë, gati 16 vjet më vonë, versionin e tij për një nga transferimet më të bujshme dhe më të debatueshme në historinë e Premier League. Në ditën e fundit të merkatos së janarit 2011, pasi kërkoi largimin, ai u largua nga Liverpooli për t’u transferuar te Chelsea kundrejt 50 milionë paundëve (58,5 milionë euro me kursin e këmbimit të asaj kohe).
Një shifër rekord për futbollin britanik në atë periudhë, që bëri që Torres të kalonte brenda natës nga idhull në tradhtar në sytë e tifozëve të Anfield. Sot, në rolin e trajnerit të ekipit të dytë të Atlético Madridit, Torres është rikthyer te ai vendim gjatë një bisede në podcastin e John Aldridge, ish-sulmuesit të Liverpoolit. Gjithçka mund të përmblidhet në një fjali: ‘Në Liverpool gjithçka ndryshoi’.
Historia e tij te Liverpooli kishte nisur krejt ndryshe. ‘Që nga dita e parë u ndjeva si në shtëpinë time dhe shumë i dashur nga të gjithë’-kujton Torres. Ai u transferua në vitin 2007 nga Atlético Madridi për 20,2 milionë paundë dhe shënoi 33 gola në sezonin e tij të parë nën drejtimin e Rafa Benítez. Te Liverpooli gjeti edhe partnerin ideal në fushë, Steven Gerrard: ‘Me Stevie G pas shpine, gjithçka ishte e lehtë. Vrapoja drejt hapësirave të lira, duke e ditur se ai do të më jepte pasimin e duhur. Nuk kishim nevojë as të flisnim.Ka qenë lojtari më i mirë me të cilin kam luajtur ndonjëherë’. Me Anfieldin ai krijoi një lidhje që në fillim. ‘Në ndeshjen time të dytë në atë stadium, kundër Derby County, shënova dy gola’– tregon ai. Ndërsa tifozët e tribunës Kop këndonin You’ll Never Walk Alone, Torres u kthye nga Pepe Reina dhe i tha: ‘Kam ndjesinë se do të shënoj në çdo ndeshje që luaj në këtë stadium’. Statistikat do t’i jepnin të drejtë. Në vitin 2008, ai u rendit i treti në garën për Topin e Artë, pas Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit. Gjithashtu, arriti kuotën e 50 golave në kampionatin anglez pas vetëm 72 ndeshjesh, një rekord që më vonë do të thyhej nga Mohamed Salah, i cili e arriti këtë shifër në 69 ndeshje. Në tri sezone e gjysmë me fanellën e Liverpoolit, Torres realizoi gjithsej 81 gola në 142 ndeshje.
Me kombëtaren e Spanjës kishte fituar Kampionatin Europian dhe Kupën e Botës, por trofetë në nivel klubesh vazhdonin t’i mungonin. Projekti i Liverpoolit nisi të marrë tatëpjetën për shkak të krizës financiare gjatë periudhës kur klubi ishte në pronësi të Tom Hicks dhe George Gillett.
‘Filluan të shisnin lojtarët tanë më të mirë. Xabi Alonso u largua drejt Real Madridit, ndërsa Javier Mascherano shkoi te Barcelona. Edhe Rafa ishte larguar. Ishte sikur të pyesje veten: çfarë po ndodh këtu? Kishim qenë shumë pranë titullit në Premier League dhe triumfit në Champions League. Na ndante vetëm një hap dhe na duhej të afronim edhe dy lojtarë për të përforcuar skuadrën. Në vend të kësaj, lojtarët që erdhën nuk ishin të një niveli të lartë’-shprehet me keqardhje Torres.
Kur Roy Hodgson u shkarkua, në janar të vitit 2011, Liverpooli renditej në vendin e 12-të, vetëm katër pikë larg zonës së rënies nga kategoria.
Një projekt që kërkonte shumë kohë
As blerja e klubit nga Fenëay Sports Group nuk i ofroi perspektivën që Torres kërkonte. Ai zhvilloi një bisedë me pronarin e ri, John Henry: ‘Plani ishte të ndiqej një mënyrë e re për të blerë dhe zhvilluar lojtarë të rinj, për të ndërtuar diçka që do të kërkonte 10 vjet. Unë isha gati 27 vjeç dhe nuk kisha aq shumë kohë në dispozicion’.
Edhe më e drejtpërdrejtë ishte biseda me drejtorin sportiv, Damien Comolli: ‘Përshtypja që më la ishte se nuk i interesonte edhe aq nëse unë do të largohesha. Më tha: Nëse gjejmë një zëvendësues për ty, mund të largohesh. Nuk më tha: Do të ndërtojmë një projekt të ri, duhet të qëndrosh, do të afrojmë këtë lojtar dhe atë tjetrin’.
As emërimi i Kenny Dalglish në stolin e Liverpoolit nuk e bëri të ndryshonte mendje. Në ditët e fundit të merkatos, Liverpooli pagoi 35 milionë paundë për Andy Carroll dhe afroi edhe Luis Suárezin. Me këtë të fundit, Torres krijoi miqësi teksa të dy prisnin në të njëjtën zyrë për të përfunduar transferimet e tyre. ‘Comolli më tha: Jo, Luisi nuk është zëvendësuesi yt. Ai është anësor. Ne ende duhet të gjejmë një sulmues që shënon gola. Askush nuk e kuptoi në atë moment se ai sulmues ishte pikërisht Luis’-kujton Torres.
Vendimi i tij kishte arsye sportive, por shkaktoi një lëndim që nuk e kishte parashikuar. ‘Kur u largova, pashë dhimbjen që shkaktova dhe kjo më vriste. Nuk ishte aspak ky qëllimi im’-pranon Torres. Megjithatë, ai nuk ishte i gatshëm të transferohej te çdo skuadër. Rivali i tij më i madh në Angli ishte Manchester United: ‘Për mua, rivaliteti ishte me Manchester United. Kështu e përjetoja kur luaja te Liverpooli. Nuk do të isha larguar kurrë drejt United. Është njësoj si rivaliteti mes Real Madrid dhe Atlético Madrid’.
Barcelona kishte tentuar ta transferonte në dy raste. Herën e parë, pas sezonit të tij debutues në Premier League, por Torres e refuzoi ofertën pasi ndihej mirë te Liverpooli. Tentativa e dytë erdhi në vitin 2010, përpara se katalanasit të vendosnin të transferonin David Villan. Edhe Manchester City ishte i interesuar për shërbimet e sulmuesit spanjoll.
Mes skuadrave që shfaqën interes, Torres zgjodhi Chelsean: ‘Ndieja se Chelsea do të më ofronte mundësinë më të mirë për të fituar trofe, duke pasur parasysh cilësinë e madhe të skuadrës që kishte. Ndonjëherë, në futboll, duhet të ndjekësh rrugën tënde dhe të mendosh për atë që është më e mira për veten. Nuk e kuptoja se sa shumë rëndësi kisha për tifozët e Liverpoolit. Mendoja se isha thjesht një lojtar si gjithë të tjerët’-tregon Torres
Rikthimi i tij i parë në Anfield si kundërshtar, në maj të vitit 2012, përfundoi me një humbje 4-1 dhe ishte veçanërisht i hidhur për të. ‘Herën e parë që u ktheva në Anfield për të luajtur kundër Liverpoolit me fanellën e Chelseat, ishte shumë e vështirë. Zhvillova një ndeshje të tmerrshme. Për herë të parë ndodhesha në shtëpinë time, por njëkohësisht nuk ndihesha më si në shtëpi’-vijoi ai.
Sot, Torres bën dallimin mes vendimit për t’u larguar dhe mënyrës se si u realizua ai: ‘Nuk pendohem për vendimin, sepse në atë moment bëra atë që mendoja se ishte më e mira për mua. Por më vjen keq që nuk pata kohë të shpjegohesha dhe të bisedoja siç duhej me pronarët e rinj, në mënyrë që të njiheshim më mirë me njëri-tjetrin. Gjithashtu, më vjen keq që lëndova ndjenjat e tifozëve të Liverpoolit-tha ai
Top Channel