AMA, koalicion kundër piraterisë audiovizive/ Krasniqi: Të bashkojmë forcat për të mbrojtur tregun e ligjshëm, do të ndjekim çdo ankesë

19/11/2026 20:37

Një koalicion kundër Piraterisë Audiovizive për t’u përballur me rastet e shtuara si pasojë e zhvillimit të teknologjisë ne vendin tonë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive  ka ndërmarrë nismën për krijimin e një koalicioni kundër piraterisë audiovizive, me synim përballimin e rasteve në rritje të këtij fenomeni, si pasojë e zhvillimit të teknologjisë në vend.

Nisma synon bashkëpunimin me operatorët e ligjshëm të tregut për të mbrojtur të drejtat e transmetimit, investimet në përmbajtje dhe konkurrencën e ndershme. Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ftoi subjektet të bëhen pjesë e një memorandumi bashkëpunimi.

“Nga operatorët ritransmetues pres që të caktojnë një kontakt, i cili të vërë në lëvizje ekipin teknik, të zbatojnë masën sipas njoftimit të AKEP-it dhe të raportojnë me saktësi rezultatin. AMA, po ashtu, merr përsipër të verifikojë ankesën, ta referojë dhe ta ndjekë deri në verifikimin e zbatimit të kësaj mase”, u shpreh Krasniqi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të ofruesve të shërbimit të internetit kërkuan që pjesë e memorandumit të jetë edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), si institucioni mbikëqyrës i sektorit të telekomunikacionit.

Në përgjigje të kësaj kërkese, kryetarja e AMA-s sqaroi se institucioni që ajo drejton i ka dërguar tashmë një ftesë AKEP-it, por ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive.

“Ftesën AKEP-it ia kemi dërguar. Deri tani nuk kemi një reagim pozitiv, por gjithsesi AKEP-i ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me institucionin tonë në kuadër të task-forcës”, deklaroi Krasniqi.

Top Channel