Gazetari Artan Hoxha ka ngritur akuza të forta për raportet mes krimit të organizuar dhe pushtetit në Shqipëri, duke argumentuar se interesat ekonomike të grupeve kriminale janë të lidhura me projektet dhe investimet e qeverisë së Edi Ramës.
Në një intervistë për emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, Hoxha solli në vëmendje transformimin e personave që, sipas tij, kanë kaluar nga aktivitetet kriminale në botën e biznesit dhe sot zotërojnë pasuri të konsiderueshme. Ai pretendoi se kjo është bërë e mundur edhe përmes legjitimimit të tyre si sipërmarrës dhe investitorë në ekonominë shqiptare.
Për gazetarin, kjo lidhje shpjegon edhe arsyen pse krimi i organizuar nuk ka interes të kundërshtojë qeverinë aktuale. Sipas tij, kapitalet e krijuara përmes ekonomisë informale kërkojnë hapësira për t’u investuar dhe projektet që zhvillohen nga mazhoranca ofrojnë mundësi për këtë.
Hoxha u ndal edhe te përplasjet pranë selisë së Partisë Socialiste, ku persona të pajisur me bishta lopatash, kazma dhe shkopinj bejsbolli dolën përballë protestuesve. Ai tha se këto ishin rastet kur elementë të tillë u shfaqën publikisht gjatë zhvillimeve të protestës, duke bërë dallimin mes tyre dhe grupeve të mirëfillta të krimit të organizuar.
“Krimi i organizuar nuk gjuhet me llastiqe. Nuk njeh llastiqe. Ata njohin tjetër lloj kalibri. Po të ishin ata, ne do mblidhnim tjetër bilanc”, deklaroi gazetari.
Një tjetër argument i Hoxhës lidhej me qëndrimin elektoral të personave që ai i identifikon si pjesë të botës së krimit. Ai ngriti pikëpyetje se si grupe që, sipas tij, kanë përfituar nga aktiviteti ekonomik nën qeverisjen aktuale, mund të jenë kundër saj, duke iu referuar edhe rezultateve të votimit në burgje.
Në këtë kontekst, gazetari pretendoi se një ndryshim politik do të cenonte interesat e këtyre grupeve, pasi bashkëpunimi i tyre, sipas tij, është i përqendruar te pushteti dhe jo te opozita.
Në fund, Hoxha bëri një krahasim mes mënyrës se si trajtohen investitorët në Dubai dhe në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje kriteret e përzgjedhjes së arkitektëve për projektet e investimeve në vend. Ai pretendoi se në Shqipëri investitorëve u kërkohet të punojnë me arkitektë të përzgjedhur nga kryeministri.














