Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dalë së fundmi me një njoftim zyrtar, ku lajmëron të gjithë udhëtarët në lidhje me punimet që po kryhen në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës, Faza 3”.
ARRSH njofton se për shkak të punimeve, do të bllokohet përkohësisht qarkullimi i mjeteve në rrugën dytësore, përkatësisht në segmentin e Mbikalimit të Kamzës dhe atij të Kasharit.
Në të njëjtin njoftim të ARRSH-së, bëhet me dije se punimet do të fillojnë ditën e sotme dhe do të zgjasin deri nesër, më saktësisht nga ora 22:00 deri në 05:00.
Gjithashtu, Autoriteti Rrugor Shqiptar lajmëron udhëtarët se janë marrë masat e e nevojshme për menaxhimin e trafikut.
ARRSH njofton ndër të tjera se përgjatë kësaj periudhe të shkurtër që do të ketë bllokim qarkullimi të automjeteve, nuk do të mungojnë as sinjalistikat e përkohshme, të cilat ndihmojnë qytetarët dhe garantojnë sigurinë rrugore në akset ku po kryhen punime.












